Berlusconi, jo më Kavalier

19/03/2014 00:00

Silvio Berlusconi nuk mund të quhet më Kavalier i Punës. Ai u vetëpezullua me një letër dërguar këshillit drejtues të Federatës Kombëtare të Kavalierëve të Punës, e cila ishte mbledhur për të shqyrtuar pozicionin e tij.

Dënimi përfundimtar i Silvio Berlusconit për evazion fiskal dhe mashtrim nuk përputhet me kodin etik të Federatës, gjë që ishte vënë në dukje prej kohësh dhe po kërkohej me forcë nga disa fraksione politike e disa media të vendit.

Ditët e fundit kanë qenë plot lajmet negative për leaderin e Forza Italia. Gjykata e Kasacionit konfirmoi ndalimin për dy vjet të mbulimit të posteve publike nga ana e tij.

Sipas Kodit Penal italian, ky dënim pezullon edhe të drejtën e votës dhe të drejtën për t’u zgjedhur.  Kështu që për Silvio Berlusconin shuhet edhe mundësia e kandidimit në zgjedhjet europiane, ku dukej se kishte ndërmend të hidhte kandidaturën.

Ish-kryeministri dhe tanimë dhe ish-kavalieri do të duhet të presë 10 prillin, datë kur gjykatësit e Milanos do të vendosin se si do ta kalojë ai një vit dënim, po për evazion fiskal e mashtrim.

Silvio Berlusconi, që për shkak të moshës nuk mund të burgoset, do ta kalojë vitin e dënimit ose në arrest shtëpie ose pranë shërbimeve sociale.

Top Channel