
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar në një sesion të jashtëzakonshëm të Parlamentit rus se Krimea ka qenë gjithmonë pjesë e Rusisë.
“Në zemrën e zemrave të popullit, Krimea ka qenë gjithmonë pjesë e Rusisë”, tha Putin nga selia e Kremlinit, ku njoftoi dhe ligjet e reja të bashkimit të Krimesë me Federatën Ruse.
Në fjalimin e tij, që u adresohej të dyja dhomave të Parlamentit dhe ku ishin të pranishëm liderët e rinj të gadishullit, Putin tha se personat që fshihen pas kryengritjeve në Ukrainë janë ekstremistë që e futën vendin në kaos.
“Krimea ka qenë dhe është një pjesë e pandashme e Rusisë dhe rezultatet e referendumit ishin më shumë se bindëse”, vijoi Putin, duke shtuar se, populli i Krimesë nuk mund të ndalej përpara kësaj “padrejtësie historike” dhe kishte të drejtën e vetëvendosjes.
“Populli i Krimesë e shprehu qartë dhe bindshëm vullnetin e tij, se do që të jetë me Rusinë. Vlerësoj kurajon dhe dinjitetin e këtij populli dhe falenderoj të gjithë rusët për ndjenjat patriotike”, u shpreh presidenti.
Pasi hoqi një paralele mes rastit të Kosovës dhe atij të Krimesë, shefi i Kremlinit u bëri thirrje rusëve që të mos u tremben kërcënimeve ndërkombëtare.
“Rusia sigurisht do të përballet me Perëndimin që do t’i përgjigjet kësaj lëvizjeje, por ne duhet të vendosim vetë për veten tonë: a do të mbrojmë interesat tona kombëtare, apo do të heqim përgjithmonë dorë prej tyre”, tha Putin.
Audienca e pranishme vazhdimisht e duartrokiti presidentin gjatë fjalimit të tij dhe i dhuroi atij një seri ovacionesh. Më pas, ashtu sikurse pritej u firmos edhe marrëveshja për bashkimin e gadishullit të Krimesë me Federatën Ruse.
Top Channel