“Na provoni që dialogu vazhdon”

18/03/2014 00:00

Eduard Kukan, kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin deklaroi se politikanët shqiptarë duhet të provojnë se dialogu vazhdon. Në një intervistë për Top Channel, ai thotë se mosmiratimi i deklaratës nga maxhoranca dhe opozita do t’i vinte në rrezik mundësitë e Shqipërisë për të fituar një qendrim pozitiv nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit në muajin qershor.

TCH: Zoti Kukan, çfarë rëndësie ka miratimi i një deklarate të përbashkët me rekomandime pas takimit të Komitetit të 7 në Strasburg?

Eduard Kukan: Është shumë e rëndësishme për vendin sepse të gjithë e dinë  se takime të tilla ndërparlamentare, në formatin ku ndodhet  Shqipëria tani japin sinjalin e vullnetit politik të partive për të arritur një lloj kompromisi, që do të përbënte një dëshmi se diskutimi me  homologët e tyre europian solli disa rezultate, për të cilat, ata të gjithë bien dakort. Tani, Shqipëria është në periudhën ndërmjet Këshillit të Dhjetorit dhe Këshillit të Qershorit. Në Këshillin e Dhjetorit, Shqipëria nuk e mori statusin kandidat dhe arsyeja ishte se Shqipëria nevojitej të tregonte një historik me gjurmë provash për reformat e zbatuara, si dhe situata e re pozitive politike që nisi kur partitë politike filluan të bashkëpunojnë, ndaj,  çdolloj dëshmie se kjo është e vërtetë dhe e qëndrushme, do të llogaritet nga Këshilli i Qershorit  kur të vlerësohet i gjithë ky proces. Arritja e kësaj marrveshjeje tani është edhe më e rëndësishme sepse në institucionet europiane po vinë lajme të ndryshme se mund të ketë bojkot të parlamentit, apo mospjesmarrje të deputetëve të opozitës nëpër takime e kështu me radhë. Kështu që për të tilla takime zyrtare, do të ishte mirë për vendin, nëse do të kishte një dokument konkludues që provon se dialogu po vazhdon.

TCH: E nëse jo, çfarë ndodh? Kjo nuk do të ishte hera e parë që shqipëtarët nuk merren vesh për miratimin e dokumentit përfundimtar.

Eduard Kukan: Po, ka ndodhur para ca vitesh. Tani është më e rëndësishme sepse Shqipëria pret për statusin e vendit kandidat, dhe zhvillimet e fundit e kanë çuar pak përpara Shqipërinë . Nëse nuk arrihet, bota s’përmbyset, por shancet që Shqipëria të fitojë një qëndrim pozitiv nga Bashkimi Europian, do të viheshin në rrezik.

TCH: Si i vetmi eurodeputet që asistuat gjatë debatit 3orësh për konkluzionet përfundimtare, si i vlerësoni çështjet e ngritura nga palët dhe a mendoni se do ketë rezultat rishqyrtimi i tyre dhe në takimin e Tiranës?

Eduard Kukan: Ka diçka që më inkurajon. Fakti se përtej atyre çështjeve të vështira dhe mendimeve shumë kontradiktore, bisedimet nuk ndaluan e kjo është shenjë pozitive. Nuk thanë s’ka më kuptim, le ta mbyllim këtu e s’ka marrëshje. Në këtë kuptim, egzistoi vullneti për t’u takuar sërish në Tiranë, për të vijuar bisedën e për të diskutuar  mbi ato çështje të vështira. Kjo është pozitive, për mua. Por do të ishte pozitive mbi gjithçka nëse në fund ata do të merreshin vesh për diçka, nëse do të arrinin kompromis. Në të kaluarën, i kemi mbyllur takimet duke thënë s’ka marrëveshje. Tani, ata nuk duan ta thonë këtë, por tentojnë ende për marrëveshje. Ky ndryshim është për mirë.

TCH: Në rast se arrihet marrëveshje në Tiranë, a konsiderohet e miratuar për ju? Si vijon proçedura?

Eduard Kukan: Nëse ka një marrëveshje nga pala e kolegëve tanë shqipëtarë, ne duhet të informohemi për këtë. Unë duhet t’ua dërgoj anëtarëve të tjerë të delegacionit të Parlamentit Europian dhe  jam i bindur se do të miratohej, sipas tekstit të miratuar mes kolegëve shqipëtarë. Por, nevojitet miratimi nga Parlamenti Europian, dhe  kjo bëhet me një proçedurë  për shpërndarjen e tekstit të shkruar. Ekziston një proçedurë e tillë administrative.

TCH: Në këtë rast, a besoni se vërtet mund të merret statusi në Qershor?

Eduard Kukan: Unë mund të them vetëm se do të doja të shpresoja… Por, të jem realist… Po të jem realist,  nëse Shqipëria do të merrte statusin kandidat në Këshillin e Qershorit, do të ishte një mrekulli e vogël.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel