Misteri i avionit, hetime për udhëtarët

18/03/2014 00:00

Deri kur autoritetet të mësojnë se çfarë ka ndodhur me fluturimin 370 të “Malaysia Airlines”, ato do të kërkojnë për gjurmë në historitë personale të gjithsecilit në bordin e avionit të zhdukur.

Realiteti i vrazhdë është se cilido nga 239 personat në bordin e avionit, të zhdukur në mënyrë misterioze, rezulton në një viktimë të mundshme apo një i dyshuar i mundshëm, deri sa të provohet e kundërta.

Momentalisht, disa pasagjerë dhe pilotët janë duke u hetuar imtësisht, teksa më shumë informacione pritet të dalin në dritë, ndërkohë që kërkimet për përgjigjet e kësaj ngjarjeje të mistershme vazhdojnë.

“Duhet të kontrollohet kushdo që ka mundur të hipë në atë avion”, tha Bill Gavin, një ish-ndihmës drejtor i FBI-së në New York, për CNN gjatë së hënës. “Mund të fillosh të përzgjedhësh një për një nga ata, ndoshta duke eliminuar disa prej tyre menjëherë: bëhet fjalë për fëmijët dhe mbase edhe personat e moshuar, apo njerëz me patologji të ndryshme. Ndoshta mund të eliminohen disa prej tyre, por me të njëjtën arsye do të duhet të kontrollosh të gjithë kategoritë e njerëzve, të cilët ishin mbi aeroplan”, tha ai.

Ja se çfarë disponohen deri më tani për disa persona, për të cilët hetuesit kërkojnë më shumë informacione.

Piloti: Zaharie Ahmad Shah
– Kryeministri i Malajzisë tha se dikush e ka drejtuar qëllimisht avionin përtej kursit të përcaktuar. Kjo nënkupton se pilotët janë bërë padyshim prè e fokusit të “rrëmbyesve”. Të shtunën, policia malajziane bastisi shtëpinë e Zaharie. 53-vjeçari, pilot dhe baba i 3 fëmijëve, jeton në një komunitet të pasur dhe të mbyllur në Shah Alam, në periferi të Kuala Lumpur, kryeqytetit të Malajzisë.

Policia e këtij vendi tha të dielën se ende ishin duke hetuar mbi një simulator fluturimi, të gjetur në shtëpinë e tij. Një pajisje e zakonshme mes entusiastëve të aviacionit, të cilët përdorin programe simulatore fluturimi për të kopjuar situata të ndryshme.

Edhe përkatësia politike e pilotit është vënë në dyshim. Zaharie, një mbështetës publik i liderit të opozitës, Anwar Ibrahim, vetëm pak orë nga nisja e fluturimit mësoi se gjykata dha urdhër për burgosjen e kryeopozitarit për shkak homoseksualiteti, një dënim që lideri i opozitës thotë se është thjesht një hakmarrje politike.

Pavarësisht kohës së vendimit, nuk ka asnjë provë që lidh zhdukjen e aeroplanit me zhdukjen e pilotit, apo politikën e tij.

Peter Chong, një mik i Zaharie, tha gjithashtu se është e padrejtë të implikosh pilotin me atë që mund të ketë ndodhur me aeroplanin. Ai tha se kishte qenë në shtëpinë e Zaharie dhe ishte përpjekur të ngrinte në fluturim simulatorin. “Është një reflektim për dashurinë e tij ndaj popullit”, tha Chong, “sepse ai kërkon të ndajë dashurinë e fluturimit me këta miq”. Zaharie u bashkua me “Malaysia Airlines” në vitin 1981, si dhe ka mbi shpatulla rreth 18 mijë orë fluturimi.

Piloti shoqërues, Fariq ab Hamid – Fariq ab Hamid, 27 vjeç. Nisi karrierën e tij në kompaninë ajrore në vitin 2007 dhe ka mbi 2760 orë fluturimi eksperiencë. Dy kamionë ishin mbushur me çanta të vogla, të ngjashme me ato të “shopping”-ut, në shtëpinë e pilotit shoqërues, sipas një ekipi të CNN, që ka mbikqyrur aktivitetin në rezidencën e tij.

Është ende e paqartë nëse çantat ishin marrë nga shtëpia, ndërkohë që policia nuk ka bërë asnjë koment për aktivitetin e tyre atje.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane po shkojnë përtej teorisë së “ata me kaska në kokë” (kapiteni dhe piloti rezervë) janë përgjegjës për zhdukjen misterioze, tha një zyrtar amerikan i cili kishte njohuri mbi zhvillimet e fundit të kësaj ngjarjeje.

Ai theksoi se nuk është bërë asnjë konkluzion përfundimtar dhe se i gjithë diskutimi i brendshëm i inteligjencës është i bazuar në vlerësimet paraprake të asaj se çfarë dihet deri më tani. Ministri malajzian i Transportit, Hishammuddin Hussein, tha për reporterët se pilotët nuk kanë kërkuar të punonin së bashku.

Pasagjeri: Mohammed Khairul Amri Selamat
– Inxhinieri 29-vjeçar malajzian i aviacionit civil punon për një kompani private të avionëve “charter”. Edhe pse policia po heton të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhin, ky shihet si një person me interes të veçantë, për shkak të njohjeve të tij aviatore.

“Kam besim se ai nuk është i përfshirë, – tha babai i tij gjatë së hënës. Ata janë të mirëpritur të hetojnë për mua dhe për familjen time”.

Në fund të fundit, hetuesit thonë se kushdo që e ka devijuar aeroplanin nga kursi zyrtar, duke e drejtuar për disa orë të tjera udhëtimi, ka ditur se çfarë po bënte. Ata po kërkojnë mbi prejardhjet e pasagjerëve, për të parë nëse ndonjë prej tyre ka qenë pilot i trajnuar.

“Ka ende disa vende, të cilat nuk i janë përgjigjur kërkesave tona për kërkime mbi prejardhjet e tyre”, tha Khalid Abu Bakar, inspektor i përgjithshëm i Forcave Policore Mbretërore të Malajzisë. “Megjithatë, ka disa agjenci të huaja inteligjente, të cilat kanë pastruar pasagjerët e tyre nga ndonjë keqbërje”.

Pasagjerët: Pouri Nourmohammadi dhe Delavar Seyed Mohammad Reza
– Në ditët e para pas zhdukjes së aeroplanit, hetuesit u fokusuan shumë ndaj dy pasagjerëve, të cilët ishin ngjitur në avion teksa përdornin pasaporta të vjedhura. Autoritetet thonë se i kanë identifikuar ata, konkretisht Nourmohammadi 18 vjeç dhe Reza 29 vjeç, të dy iranianë.

Njerëzit hynë në Malajzi më 28 shkurt duke përdorur pasaporta të vlefshme iraniane, bën të ditur Interpoli. Policia malajziane beson se Nourmohammadi ishte duke u përpjekur të emigronte drejt Gjermanisë, duke përdoru pasaportën e vjedhur austriake. Nëna e tij kishte kontaktuar policinë, sapo u kuptua se djali i saj nuk mbërriti në Frankfurt atëherë kur pritej.

Hetuesit malajzianë thonë se asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë lidhje të dukshme me organizata terroriste. Pasaportat e vjedhura nuk të çojnë domosdoshmërisht te terrorizmi. Në fakt, pasagjerë të shumtë kanë udhëtuar pa kontrolluar dokumentet e tyre të udhëtimit në bazën e të dhënave të Interpolit për pasaportat e humbura apo të vjedhura, më shumë se 1 miliardë herë gjatë vitit 2013, sipas organizatës ndërkombëtare të policisë.

Top Channel