Krime, vritet ushtari ukrainas

18/03/2014 00:00

Autoritetet ukrainase njoftuan vdekjen e një oficeri në një bazë ushtarake në rajonin e Krimesë, e para që nga marrja nën kontroll e gadishullit prej forcave ruse në muajin shkurt.

Në një njoftim për mediat drejtuesit e lartë ushtarakë ukrainas thonë se vrasja e oficerit ukrainas ndodhi në një bazë në kryeqytetin e Krimesë, në Simferopol. Sipas tyre, i gjithë personeli ushtarak i bazës është arrestuar prej trupave ruse.

Sulmi ndodhi pak pasi presidenti Putin dhe udhëheqësit e rinj të Krimesë nënshkruan marrëveshjen që përfshin gadishullin në Federatën Ruse.

Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase, Vladislav Seleznyov tha për Reuters se sulmi ishte ndërmarrë nga persona pa simbole identifikuese dhe të maskuar. Ai tha se gjithë personelit ukrainas të bazës i ishin konfiskuar armët, dokumentat e identifikimit dhe paratë.

Ndërkohë, kryeministri i përkohshëm, Arseniy Yatsenyut thërriti në një mbledhje urgjente qeverinë ku tha: “Konflikti po kalon nga politik, në ushtarak. Ushtarët rusë kanë qëlluar ndaj personelit ushtarak ukrainas, dhe ky është një krim lufte”.

Prej disa javësh Kievi ka shpallur gjendjen e gatishmërisë totale dhe ka nisur stërvitjen e forcave rezerviste, “për të qenë gati për cdo të papritur”.

Top Channel