Itali, masakër në jug të vendit

18/03/2014 00:00

E gjithë Italia është tronditur nga një vrasje e trefishtë me sfond
mafioz në jug të vendit, që nuk ka kursyer as një fëmijë 4 vjeç.

Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja ka ndodhur në orët e natës, në aksin rrugor Taranto-Rexho Kalabria, në rajonin jugor të Pulias.

Për fat të mirë, nga të shtënat kanë shpëtuar dy fëmijë të tjerë, përkatësisht 6 dhe 7 vjeç, të cilët po udhëtonin gjithashtu në automjetin e viktimave.

Autoritetet policore, të cilat kanë bërë mbikëqyrjen e vendit të ngjarjes, e konsiderojnë aktin si një kurth të pamëshirshëm mafioz.

Sipas tyre, me shumë gjasa shënjestër e vrasësve ishte shtetasi Cosimo Orlando, një 44-vjeçar me preçedentë kriminalë e që ishte në drejtimin e makinës.

Një automjet tjetër u afrua pranë asaj të viktimave dhe hapi zjarr me breshëri, duke qëlluar rreth 15 plumba dhe duke lënë të vdekur në vend drejtuesin, bashkëshorten e tij 30-vjeçare dhe djalin 4 vjeç që kjo e fundit mbante në krahë.

Ka rezultuar e kotë ndërhyrja e ambulancës, pasi të tre personat kanë vdekur menjëherë, me trupat e tyre të mbushur me plumba.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet dhe që prej orëve të natës është e angazhuar në një operacion masiv në të gjithë provincën. 44-vjeçari i vrarë rezultonte i lidhur me botën puljeze të krimit dhe ishte një figurë e njohur në trafikun e drogës.

Ai jetonte në gjysmëliri pasi më parë ishte dënuar për vrasjen e dy personave. Pistat e hetimit janë hakmarrja ose pazaret e prishura.

Top Channel