Afganistan, 15 viktima nga sulmi vetëvrasës

18/03/2014 00:00

Një atentat vetëvrasës në veri të Afganistanit ka vrarë të paktën 15
persona, përfshirë një grua dhe një fëmijë, kanë njoftuar autoritetet
zyrtare për BBC.

Të paktën 27 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga i njëjti atentat me bombë, në Majmana, kryeqendra e provincës Farjab, thanë zyrtarët lokalë.

Atentatori vetëvrasës mendohet se e ka shpërthyer eksplozivin e tij në afërsi të hyrjes së një tregu të populluar nga njerëzit.

Sulmi vjen në një kohë kur afganët po bëhen gati të mbajnë zgjedhjet presidenciale më 5 prill. Deri tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e tij.

Sidoqoftë, guerrilasit talebanë dhe grupi i lidhur me Al Kaedën, Lëvizja Islamike për Uzbekistanin janë aktivë në zonën në fjalë.

Guvernatori i provincës së Farjabit, Mohamadullah Batash deklaroi se atentatori ishte duke udhëtuar me një motor në momentin që aktivizoi eksplozivin e tij.

“Ngjarja ndodhi në një treg. Qindra fermerë dhe fshatarë kishin sjellë produktet e tyre. Të gjithë të vrarët dhe të plagosurit janë civilë”, deklaroi Batash.

Ndërsa një dëshmitar nga vendi i ngjarjes tregoi për BBC: “Isha duke blerë bukë kur papritur dëgjova një zhurmë të fortë. Pash trupa të pajetë dhe gjak kudo përreth meje”.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se siguria ka gjasa të vihet në provë gjatë zgjedhjeve, ku mes kandidatëve figurojnë baronët e luftës dhe ish-liderë të guerrilasve që nga lufta civile në vitet ’90.

Top Channel