Tërmet në Los Anxhelos

17/03/2014 17:10

Një tërmet tronditi Los Anxhelosin ditën e hënë, por për fat të mirë pa shkaktuar dëme të mëdha materiale apo në njerëz.

Tërmeti me magnitudë 4,4, sipas shkallës rihter kishte si epiqendër lagjen periferike të Uestudit, 9 kilometra nga qendra e qytetit më të madh kalifornian.

Tërmeti u regjistrua në orën 06:25 të mëngjesit dhe ndonëse nuk shkaktoi probleme, ai mjaftoi për të tensionuar banorët e Los Anxhelosit, të vetëdijshëm që qyteti i tyre ndodhet në një zonë sizmiologjike.

Kjo ishte hera e parë që Los Anxhelos lëkundet që prej tërmeteve pasgoditëse të 1994-s.

Lucy Jones, një sizmiologe e Institutit Gjeologjik të SHBA-ve tha se ekziston një 5% mundësi që një tërmet tjetër i fortë të godasë brenda tre ditëve të ardhshme.

Ndonëse një forcë 4,4 rihter nuk e bën një tërme të konsiderohet serioz, Jones pranoi se është e pazakontë që një tronditje e tillë të ndihet në qendër të një qendre të banuar.

“Kjo është një kujtesë se jetojmë në një vend me një aktivitet të lartë sizmiologjik”, shtoi ekspertja.

Në vitin 1994, një tërmet i magnitudës 6,7 sipas shkallës rihter goditi Northridxhin, pranë Los Anxhelosit, duke vrarë 60 persona.

Një tërmet i forcës 6,9 në San Françisko, në 1989, pati vrarë 67 persona të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA