“Të palëkundur përkrah Ukrainës”

17/03/2014 16:00

“Rusia është duke u vetizoluar me veprimet e saj”, deklaroi presidenti Obama, ndërsa shpalli mbështetjen e “palëkundur” të Uashingtonit ndaj Ukrainës, për krizën në zhvillim në Krime.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Shtëpia e Bardhë ritheksoi se “referendumi i mbajtur në krahinë është tërësisht i paligjshëm dhe se bashkimi me Rusinë nuk do të njihet pasi është në kundërshtim flagrant me ligjet ndërkombëtare”.

Disa orë pasi firmosi një listë sanksionesh ndaj zyrtarëve rusë, Obama theksoi: “E ardhmja e Ukrainës mund të vendose vetëm nga njerëzit e Ukrainës. Rusisë i është bërë e qartë në mënyrë të përsëritur se referendumi nuk do të njihet dhe SHBA rezervon të drejtën që të vendosë sanksione të mëtejshme, nëse Moska do të vazhdojë të përfshihet në punët e brendshme të Ukrainës”.

“Së bashku me komunitetin ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin mbështetjen e palëkundur për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Ne do të qëndrojmë të vendosur dhe të palëkundur në mbështetjen ndaj tyre”, shtoi presidenti.

“Ne jemi duke vazhduar bisedimet me partnerët tanë europianë, të cilët sot në Bruksel vendosën të ecin përpara dhe të imponojnë sanksionet e tyre ndaj Rusisë. Sot, zëvendëspresidenti Biden niset në Europë, ku do të takojë liderat e aleatëve tanë të NATO-s, Polonisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Unë, personalisht do të udhëtoj në Europë javën e ardhshme. Mesazhi ynë është i qartë: Si aleatë të NATO-s kemi detyrimin solemn ndaj mbrojtjes sonë kolektive dhe jemi të vendosur t’i qëndrojmë këtij zotimi”.

“Ndërhyrja e vazhduar ushtarake e Rusisë në Ukrainë vetëm sa do të thellojë izolimin diplomatik të Rusisë”, vazhdoi fjalën e tij Obama. “Ne jemi të vendosur të bëjmë të qartë se provokimet e mëtejshme të Rusisë nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër përveç izolimit dhe reduktimit të rëndësisë së saj në botë. Trupat ruse në Ukrainë duhet të tërhiqen menjëherë në bazat e tyre, trupat shtesë duhet të largohen dhe Rusia duhet të angazhohet në një dialog të drejtëpërdrejtë me qeverinë ukrainase për zgjidhjen e kësaj krize”.

Krimea, një krahinë ruse deri në vitin 1954, votoi me shumicë dërrmuese ditën e dielë për bashkimin me Rusinë në një referendum të panjohur nga perëndimi.

Megjithatë, ukrainasit dhe tartarët, të cilët përbëjnë pothuajse 40% të popullsisë së krahinës bojkotuan në një shumicë të madhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA