Krimea, kostoja ekonomike për Rusinë

17/03/2014 15:30

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian shpallën të hënën një seri sanksionesh ndaj një numri zyrtarësh rus dhe ukrainas, në atë që mund të jetë një lëvizje e parë e sanksioneve të mëtejshme që pritet të godasin ekonominë ruse.

21 persona me influencë në qeverinë ruse u përfshinë në “listën e zezë”, që ngrin lëvizjen e tyre në SHBA dhe BE, krahas ngrirjes së të gjithë aseteve financiare që gëzojnë në bankat perëndimore.

“Vendosëm të imponojmë këto sanksione ndaj individëve konkretë që kanë një peshë të madhe ndikimi në qeverinë ruse dhe sepse ata janë përgjegjës kryesor në përkeqësimin e situatës në Ukrainë”, lexohej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas “CNN”, sanksionet ndaj individëve, në vend të goditjes së kompanive të mëdha ruse reflekton kujdesin për të mos goditur rimëkëmbjen e ngadaltë ekonomike të zonës.

Megjithatë, zyrtarë amerikanë thanë se për momentin po shqyrtohen sanksione më të rënda që mund të godasinë Moskën, nëse ajo do të përmbushë zotimin e mëparshëm dhe do të aneksojë formalisht Krimenë.

Ndërsa sanksionet e mundshme ekonomike do të godasin të dyja palët, sipas analistëve mbetet e qartë që Rusia do të vuante shumë më tepër se perëndimi.

Eksportet e BE-së ndaj Rusisë janë sa 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të bllokut të 28 shteteve, ndërsa eksportet e përgjithshme ruse në BE sa 15% e PBB-së.

Në një kohë kur ekonomia ruse, e gjashta më e madhe në botë ndodhet në një trajektore rënëse, Kremlini vështirësisht mund t’i lejojë vetes një goditje të tillë të rëndë ekonomike, e cila me shumë gjasa mund të zhysë ekonominë në recesion.

Ish-ministri rus i financave, Alexei Kudrin, tashmë një këshilltar ekonomik i presidentit Putin, tha se edhe sanksione të kufizuara do të godisnin investimet e huaja dhe të brendshme në Rusi.

Aktualisht, bankat perëndimore po kufizojnë kreditimin për Rusinë, rubla ruse është në zhvlerësim të vazhdueshëm, ndërsa të paktën 33 miliardë dollarë investime janë tërhequr prej vendit.

Në referendumin e zhvilluar ditën e dielë, shumica dërrmuese e krimeasve votuan për t’iu bashkuar Rusisë.

Referendumi konsiderohet si i paligjshëm nga SHBA, BE dhe Ukraina, të cilat i kanë bërë thirrje Rusisë që të tërhiqet nga veprimet provokuese dhe të pranojë bisedimet për një autonomi më të gjerë të Krimesë brenda Ukrainës dhe për vendosjen e një misioni ndërkombëtar në zonat rusishtfolëse pranë kufirit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA