Pakistan, ulet dënimi për mjekun e Bin Laden

15/03/2014 00:00

Një gjykatë pakistaneze ka ulur dënimin me burg për doktorin që dyshohet se ndihmoi amerikanët në lokalizimin e vendndodhjes së Osama bin Laden në vitin 2011.

Shakil Afridi akuzohet nga qeveria pakistaneze për organizimin e një programi të rremë vaksinimesh për të ndihmuar në konfirmimin e pranisë së Bin Laden, që u vra në operacionin e komandove amerikanë.

Forcat speciale hynë në kompleksin e liderit të Al Kaedës dhe e qëlluan atë dhe më pas morën trupin e tij me helikopter dhe e varrosën në det.

Sulmi shkaktoi indinjatë por edhe turp në radhët e qeverisë pakistaneze, e cila nuk ishte informuar për blicin, dhe cënoi raportet me Uashingtonin, duke i çuar ato në minimum.

Një gjykatë e dënoi mjekun Afridi në maj të vitit 2012 për tradhti dhe për lidhje me grupet militante. Ndërkohë, këtë të shtunë një gjykatë e qytetit të Peshauarit shkurtoi dënimin e tij në 23 vjet, pas apeleve të të afërmve të tij dhe Shteteve të Bashkuara.

Avokati i mjekut, Qamar Nadeem deklaroi se dënimi mbetet në fuqi, por shtoi se akuza tjetër, ajo për nxitjen e luftës në Pakistan, është rrëzuar nga trupi gjykues.

Avokati shtroi mundësinë e një apeli të mëtejshëm në një gjykatë të nivelit më të lartë, pasi familjarët e mjekut po kërkojnë një proces të ri, sikurse u urdhërua nga autoritetet në muajin gusht.

Top Channel