
Gjashtë ushtarë egjiptianë janë vrarë nga persona të armatosur në një postobllok në veri të Kajros, raportojnë mediat lokale shtetërore.
Një oficer sigurie i cituar prej tyre deklaroi ndërkohë, se dy bomba të lëna nga agresorët pas vrasjes janë çaktivizuar.
Akti i dhunshëm vjen dy ditë pasi një ushtar u qëllua me armë në një sulm ndaj një autobusi ushtarak në lindje të Kajros.
Që nga rënia nga pushteti i presidentit pro-islamik Mohammed Morsi në korrik, në Egjipt është vënë re një përshkallëzim i frikshëm i dhunës.
Militantët islamikë kanë vrarë qindra policë dhe ushtarë në sulme të shumta. Ushtria akuzon krahun politik të zotit Morsi, Vllazëria Myslimane, se ka kryer sulmet e fundit, që janë realizuar teksa ushtarët merrnin pjesë në lutjet e mëngjesit.
Nga ana e saj Vllazëria mohon çdo përfshirje, duke thënë se është e angazhuar për një fushatë pro-paqes. Fraksioni u përcaktua si grup terrorist në dhjetor dhe mijëra anëtarë të tij kanë dalë para drejtësisë.
Një seri atentatesh të profilit të lartë ndaj forcave të sigurisë në Kajro dhe në gadishullin e Sinait janë marrë përsipër nga një grup tjetër, Ansar Beit al Makdis, që deklaron se në këtë mënyrë po hakmerret ndaj shtypjes së mbështetësve të Morsit nga qeveria pro-ushtarake.
Aktualisht Morsi po përballet me katër procese gjyqësore. Akuzat që rëndojnë ndaj tij, të cilat ai i mohon, përfshijnë vrasjen e protestuesve të opozitës, spiunazh dhe komplot me qëllim kryerjen e akteve terroriste.
Ndërkohë, komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdul Fattah al Sisi pritet të kandidojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në pirll.
Top Channel