
Një avion mbikëqyrës amerikan i telekomanduar është interceptuar në qiellin e rajonit ukrainas të Krimesë dhe është marrë nën kontroll, ka bërë të ditur një kompani shtetërore ruse në fushën e armëve dhe teknologjisë.
“Droni po fluturonte rreth 4 mijë metra lartësi dhe virtualisht ishte i padukshëm nga toka. Kontrolli i tij u arrit pasi u bë e mundur shkëputja e lidhjes së operatorit amerikan përmes një operacioni kompleks radio-elektronik”, thuhet në një deklaratë të kompanisë Rostec.
Droni ra thuajse i paprekur në duart e forcave të vetëmbrojtjes, bëri me dije Rostec, që shtoi se kishte përdorur një pajisje të sajën për ta ulur poshtë avionin, por pa saktësuar se kush po e operonte atë.
“Duke iu referuar numrit të identifikimit, UAV MQ-5B i përket Brigadës së 66 Amerikane të Zbulimit me bazë në Bavari të Gjermanisë”, deklaroi Rostec në faqen e saj të internetit, ku është publikuar dhe një foto që supozohet se është e dronit.
Gjithësesi, fotot tregojnë një dron të armatosur në fluturim dhe jo objektin e ulur në tokë. Porti i Sevastopolit në Krime është shtëpi e Flotës Detare Ruse të Detit të Zi, që besohet se është e pajisur me pajisje zbulimi elektronike.
Krimea, ku trupat pro-Kremlinit kanë kontroll total, pritet të mbajë të dielën një referendum për të vendosur nëse gadishulli do të bashkohet me Rusinë apo me Ukrainën, të cilin Moska e sheh si një liri shprehjeje, ndërsa Perëndimi e sheh si një proces ilegal.
Top Channel