Nigeri, maksi-sulm i militantëve

14/03/2014 00:00

Qindra militantë kanë organizuar një sulm masiv në qytetin Maiduguri të Nigerisë, raportojnë dëshmitarë nga vendi i ngjarjes.

Në hyrje të qytetit, agresorët u ndanë në grupe më të vogla dhe u drejtuan nëpër shtëpi të varfëra, zona urbane dhe në universitetin e qytetit.

Sulmi në lagjet e barrakave ishte një përpjekje e militantëve për të liruar disa kolegë që mbahen atje, deklaroi një zëdhënës ushtarak, sipas të cilit ata dyshohet të jenë të fraksionit Boko Haram, që vetëm këtë vit ka vrarë 500 persona.

Banorët lokalë, të cituar nga BBC, deklarojnë se ka shkëmbime të dhunshme zjarri në afërsi të lagjes Giua, pasi ushtria ka ndërhyrë për të frenuar ofensivën e rebelëve.

Ndërsa një burim ushtarak tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se disa dhjetëra militantë janë liruar, një lajm ky që zëdhënësi i forcave të armatosura as e pohoi dhe as e mohoi.

“Ata iu vunë zjarrin shumë shtëpive dhe vranë shumë njerëz të pafajshëm”, deklaroi banorja Jamila Yusuf për gazetën nigeriane “Daily Trust”.

Forcat ajrore janë angazhuar gjithashtu në anti-ofensivën e ushtrisë dhe disa luftëtarë të Boko Haram thuhet se janë vrarë teksa po kalonin një lum të thatë mrapa barrakave, thonë banorët.

Një grua, që për arsye sigurie preferoi të mos identifikohej, tha për BBC se kishte parë trupat e pajetë të 15 personave në afërsi të barrakave. Ajo tha se ushtarët e rregullt gjetën edhe një militant që ishte fshehur në një pemë mangoje.

“Ata e morën atë, e qëlluan dhe e vunë në pirgun me trupa”, tha dëshmitarja për programin radiofonik “Fokusi në Afrikë” të rrjetit informativ britanik.

Ajo tregoi gjithashtu se në rrugë ka parë qytetarë të zakonshëm që ecin duke mbajtur në duar këmbë dhe duar të sharruara nga trupat e militantëve të vrarë. 

Top Channel