Kryengritësit sirianë, apel për armë

14/03/2014 15:40

Kreu i grupimit kryesor të opozitës siriane tha se aleatët ndërkombëtarë duhet të nderojnë premtimet e tyre për të furnizuar vendin me armë të rënda.

Ahmed Jarba, drejtuesi i Frontit Kombëtar Sirian tha se armët ishin premtuar nëse bisedimet e paqes në Gjenevë me Damaskun nuk do të sillnin një rezultat konkret.

Përballë pamundësisë për të arritur një marrëveshje në bisedimet e Janar-Shkurtit, tashmë beson se rrugëzgjidhja e vetme për Perëndimin mbetet armatosja e kundërshtarëve të Bashar al-Assadit.

“11 anëtarët kryesorë të “Miqve të Sirisë”, përfshi Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjithë fajëson al-Assadin për atë që po ndodh në Siri. Sirianët janë duke e paguar kohën e humbur pa bërë asgjë me gjakun e tyre”, paralajmëroi Jarba.

Sipas kreut të FKS, vetëm nëpërmjet forcimit të bllokut të kryengritësve pro-demokratikë mund të detyrohet Assadi që të ulet për të biseduar realisht në tryezën e bisedimeve mbi tranzicionin e kërkuar të pushtetit.

Lufta civile në Siri, e nisur në Mars 2011, si pjesë e ciklit të kryengritjeve të Pranverës Arabe i ka marrë jetën deri më sot të paktën 140 mijë sirianëve, sipas të dhënave të “Human’s Right Watch”.

Pothuajse gjysma e popullsisë siriane të paraluftës, pothuajse 10 milionë banorë, jetojnë në kampet e refugjatëve në vendet fqinje ose si refugjatë të pastrehë brenda Sirisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA