Dy prej përfaqësuesve kryesore të opozitës britanike, Nick Clegg dhe Ed Miliband sugjeruan se vendi është i gatshëm për të pritur kryeministrin e parë homoseksual të historisë.
Kreu i liberalëve dhe ai i laburistëve theksuan ditën e premte se qëndrimet sociale kanë ndryshuar në mënyrë drastike në 20 vitet e fundit.
Sipas tyre, votuesit janë ndërgjegjësuar dhe se në zgjedhjen e tyre nuk do të kishte më rëndësi orientimi seksual, por ajo që kryeministri potencial do të ishte në gjendje të bënte.
Disa prej politikanëve kryesorë u pyetën gjatë të premtes, pasi ligji i martesave homoseksuale u publikua gjatë ditës në fletoren zyrtare.
Martesat e para gay në Angli dhe Uells u mbajtën në 29 Mars dhe i pyetur mbi mundësinë e një kryeministri gay, Clegg deklaroi: “Përse jo? Të qënit homoseksual nuk ka të bëjë me punën, me mënyrën se si ndërvepron me njerëzit dhe se si merr vendimet. Jam i bindur që britanikët do të gjykonin këdo nga aftësia e tij për të drejtuar dhe për të qenë një kryeministër i mirë, e jo nga vendimi se me kë, secili ndan jetën e tij private”.
Në fjalën e tij, Miliband parashikoi që nuk do të jetë e largët dita kur vendi do të ketë një kryeministër homoseksual, pasi sipas tij, proceset shoqërore në 20 vitet e fundit kanë “njohur një përparim të ndjeshëm”.
Top Channel