Vrasja e 3 vajzave të mitura

10/03/2014 00:00

Tre vajzat e vrara nga nëna e tyre në Itali ishin të Bashkim Dobrushit, nga Komuna Mal-Zi e rrethit të Kukësit.

Në këtë familje nisën ditët e zisë, ndërsa vëllai i Bashkimit, Hamiti, tregon se lajmi tronditi në mënyrë të papërshkrueshme familjen dhe gjithë banorët e komunës.

Ai thotë se babai i vajzave jetonte në Itali prej 15 vjetësh dhe vetëm dy muajt e fundit kishin mësuar se çifti ishte ndarë.

“Kanë pasur marrëdhënie shumë të mirë. Vëllai ka qenë i rregullt dhe shumë i qetë. Para dy muajsh morëm vesh që ishin ndarë”, thotë Hamiti.

Të afërmit e Bashkimit e përshkruajnë atë si një familjar të përkushtuar. Ata thonë se çifti shkonte mirë me njëri-tjetrin dhe gjithmonë pushimet verore i kalonin bashkë.

“Me aq sa dimë ne, nuk ka pasur asnjë konflikt me gruan dhe kurrë nuk kanë qenë të dhunshëm ndaj njëri-tjetrit”, thotë një kushëri i Bashkimit.

Tragjedi në familjen shqiptare

Ndodhet e shtruar në reanimacionin e spitalit të Lecco-s, në veri të
vendit. Edlira Dobrushi, nëna shqiptare që, në orët e para të mëngjesit,
ka vrarë tre vajzat e saj.

Ajo pranoi autorësinë e krimit dhe tani akuzohet për vrasje të trefishtë me rrethana rënduese, për shkak të lidhjes së gjakut me viktimat.

Tre vajzat e saj, Sidni 3 vjeç, Kesi 10 dhe Simona 13 vjeç, u gjetën pa jetë në shtratin bashkëshortor, të goditura shumë herë në thikë.

Hetuesit bëjnë të ditur se, nga shqyrtimet e para të plagëve, duket se dy vajzat e vogla janë vrarë në gjumë, ndërsa më e madhja është munduar të mbrohet.

Më pas, gruaja është përpjekur të vrasë veten, duke prerë venat, por nuk ka arritur dhe është gjetur në gjendje të traumatizuar dhe e përgjakur nga fqinjët.

Familja shqiptare, me banim prej shumë vitesh në Itali, duket se ka kaluar një periudhë krize. Prej disa muajsh, çifti Dobrushi është ndarë dhe disa burime flasin për vështirësi ekonomike të familjes, megjithëse kryebashkiaku i qytetit specifikon se familja nuk ishte mes atyre, që kanë kërkuar ndihmë.

Ndërsa Edlira i ka thënë mjekëve se nuk ia dilte dot më dhe se kështu i ka shmangur vajzave një të ardhme të dëshpëruar.

Gjithsesi, janë të gjithë elementë që do të shqyrtohen më pas nga hetuesit, të cilët aktualisht nuk mund të marrin më në pyetje gruan, për shkak të gjendjes së saj. Priten rezultatet e autopsive të tre vajzave dhe i ekspertizës psikiatrike të nënës së tyre.
 
Ndërkohë babai i viktimave, i ndarë prej pak kohësh nga gruaja ndodhet në Shqipëri dhe konfirmohet se nuk ka lidhje me episodin.

Ministri i Punëve të Brendshme Angelino Alfano reagoi menjëherë dhe përpara se të zbulohet dinamika e ngjarjes deklaroi në një intervistë se “nuk do t’i lëmë shteg vrasësit. Italia nuk mund vetëm të qajë viktimat, por duhet të ndjekë e të gjejë vrasësin”.

Ai bëri të ditur se shpejt do të organizojë një mbledhje me autoritetet më të larta të policisë. Më pas në një koment të një rrjeti social, ministri shton se ndjen një trishtim të pamatë për ngjarjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA