Një kalifornian që humbi 500 mijë dollarë duke luajtur “blackjack” në Las Vegas paditi kazinonë, me pretendimin se ai ishte tepër i dehur për t’u lejuar të luante dhe se duhet të ishte ndaluar prej stafit që të shpenzonte të gjithë kursimet e tij.
Mark A. Johnston pretendon se kazinoja duhet t’i rimbursojë të gjithë shumën e humbur, pasi punonjësit e saj i shërbyen aq shumë alkool, sa që ai as që e mban mend të ketë luajtur “blackjack” e aq më pak të ketë humbur.
Në një intervistë për “CNN”, Johnston pretendoi se kishte rënë në kurthin e kazinosë, që e dehu qëllimisht, e më pas përdori taktikat e saj nëpërmjet njerëzve të veshur civilë për ta nxitur që të luante në mënyrë të pafre.
Kazinoja në të cilën 52-vjeçari humbi paratë është hapur rishtaz në Nëntor. Ajo refuzoi që të komentonte mbi padinë e ngritur ndaj saj.
“Unë nuk jam një humbës grindavec. Kam humbur më parë një milionë dollarë, kam humbur 800 mijë dollarë, kam humbur shumë para. Nuk ka të bëjë me këtë dhe pa dyshim që mund ta përballoj atë që humba, por kjo është një mënyrë e pandershme, ky është një mashtrim i hapur”, deklaroi bastexhiu milioner.
Sipas Johnstonit, atij iu shërbyen mbi 20 pije falas gjatë 17 orëve që shpenzoi të gjithë paratë e tij, ndërsa thotë se kishte pirë të paktën edhe 10 gota alkool përpara se të shkelte në kazino.
Top Channel