Gjermeni: Lehtësim procedurave për banesat sociale

26/02/2014 00:00

Qindra familje të komunitetit rom edhe pse jetojnë në kushte ekstreme
varfërie e kanë të pamundur të përfitojnë të drejtën për të jetuar në
banesa sociale, pasi nuk plotesojnë dot dokumentacionin.

Ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermeni tha se po punohet që këto familje të kenë akses dhe të lehtësohen procedurat.

“Për zgjidhjen e kësaj çështje, ne jemi duke marrë masat e duhura, legjislative dhe ekzekutive. Jemi duke punuar për hartimin e strategjisë së strehimit, pjesë integrale e të cilës do të jetë çështja e komunitetit rom në mbarë vendin. E di, që mund të jenë të lodhur me dokumente strategjikë, por realisht në Shqipëri ka munguar një plan veprimi, përsa i përket politikave të strehimit dhe në mënyrë të veçantë për politikat e strehimit të komunitetit rom”, thotë Gjermeni.

Disa grupe pune po identifikojne zonat me kritike ku jetojne romet, në menyrë që pranë banesave të tyre të shtrohet rrjeti i ujësjelles-kanalizimeve, si dhe te rehabilitohen banesat.

Vetem në Bashkine e Lushnjes po rehabilitohen rreth 20 banesa. Nga ana tjeter Ministria e Punes po lehteson procedurat burokratike per te perfituar asistencen sociale.

“Reforma që ka të bëjë me modernizimin e ndihmës ekonomike është instrument i politikës sociale që synon të mbështesë të varfërit duke ofruar mundësinë për të aplikuar një skemë pa procedura burokratike dhe që evidentohet përmes vetëdeklarimit të cdo familje. Targët grup i reformës janë edhe komuniteti rom edhe ai egjiptian”, thotë zëvendësministrja e Punës, Bardhylka Kospiri.

Prej vitesh ne Shqiperi jane hartuar dhjetra programe dhe jane harxhuar qindra milionë euro, por pak prej tyre kane ndikuar ne ndryshim rrenjesor te jetes se tyre.

Top Channel