Edhe Nokia përqafon Android-in

24/02/2014 00:00

Përflitej prej muajsh dhe tashmë është realitet; Nokia, kompania finlandeze e prodhimit të telefonave celularë ka përqafuar sistemin e operimit Android.

Produktet, themi në numrin shumës sepse bëhet fjalë për tre telefona që përbëjnë gjeneratën X të Nokia-s, janë prezantuar në Kongresin Botëror të Celularëve në Barcelonë. Kompania finlandeze prezantoi Nokia X, Nokia X+ dhe Nokia XL.

Përse përbën lajm ky zhvillim në tregun e dominuar nga Android, sistemi i operimit i Google që zotëron rreth 80 përqind të tij? E para është se Nokia ishte e vetmja kompani e madhe e prodhimit të telefonave që i rezistoi sistemit Android prej vitesh, edhe në kohët më të vështira, kur braktisi sistemin e vet, Symbian, kompania finlandeze zgjodhi një rrugë alternative; sistemin e operimit Windows Phone të Microsoft.

Lëvizja nuk rezultoi aq e suksesshme dhe në fund të vitit të kaluar, Microsoft dhe Nokia arrijnë marrëveshjen, sektori i prodhimit të telefonave inteligjentë blihet nga Bill Gates. Pse pikërisht tani Android? Mos është kjo një lëvizje disidente e Nokia-s ndaj padronit të ri?

Aspak. Marrëveshja e shitjes nuk është mbyllur ende. Në muajin Mars pritet që i gjithë sektori të kalojë në duart e Microsoft, jo më herët. Përvec kësaj, bëhet fjalë për një sistem operimi të Android të modifikuar, ku Play Store zëvendësohet nga Windows Phone Store, sistemin e hartave “Here” i vetë Nokia-s, plus OneDrive dhe Skype, që për një muaj ofron një abonim falas pa limite për të gjithë përdoruesit.

Ndaj hedhja në treg e këtyre produkteve ka marrë bekimin e Microsoft.

“E para, blerja e Nokia-s nuk ka përfunduar ende dhe sot operojmë si dy kompani të ndryshme, pa lidhje me njëra-tjetrën. E dyta, jemi të lumtur që shohim shërbimet e Microsoft si Skype, OneDrive dhe Outlook tek këto pajisje, që u ofrojnë mundësinë miliona personave në botë, sidomos në vendet në zhvillim që të bëhen pjesë e familjes së Microsoft”, shkruan Frank X. Shaw, zv.president i Komunikimeve në Microsoft.

Kur thotë ‘në vendet në zhvillim’ Shaw i referohet cmimeve konkuruese të tre produkteve të gjeneratës X të Nokia, që variojnë nga 89 deri në 109 euro. Megjithatë, Shaw saktëson se përqindrimi maksimal i kompanisë së Bill Gates në këtë pjesë të tregut, vazhdon të jetë tek Windows Phone, që do të zhvillohet më tej.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta