Rreth 5 persona, pasagjerë të autobusit të Unazës në Tiranë, u plagosën kur autobusi u përplas me një nga pemët në anë të rrugës pranë Piramidës rreth orës 22 e 30 minuta.
Sipas efektivëve të Policisë së Rendit dhe asaj Rrugore që mbërritën në vendin e ngjarjes menjëherë, ishin vetëm 5 persona të lënduar që u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak për kurim, ndërkohë që drejtuesi i mjetit u testua për përdorim alkooli nga të cilat rezultoi negativ.
Ai u shoqërua në komisariat ku iu bënë edhe kontrollet. Dyshimet e para flasin për një defekt në mjet, të paktën kështu u ka thënë drejtuesi i mjetit policëve, por dyshohet se mjeti ka qenë me shpejtësi tej normave.
Autobusi ka goditur pemën e cila është rrëzuar e gjitha në tokë. Ndërkohë, i gjithë aksi rrugor në krahun e Unazës nga bulevardi deri në Rrugën e Elbasanit është bllokuar, ndërsa policia nisi hetimet edhe për të parë shpejtësinë me të cilën mjeti po lëvizte.
Top Channel