Një urdhëresë i pengon të gjithë besimtarët myslimanë të Emirateve të Bashkuara Arabe që të udhëtojnë apo jetojnë në Mars.
Autoriteti i Lartë Islamik i vendit, në të cilin përfshihen klerikët e dijetaret më të lartë emiratas, u bashkua ditën e Mërkurë dhe shpalli nëpërmjet një fatvaje (një urdhërese te bazuar ne ligjet kuranore) se për myslimanët do të jetë e ndaluar të jetojnë në Mars, nëse idetë për ndërtimin e një baze të përhershme në të do të konkretizohen.
NASA, por edhe rusët, nëpërmjet programit të tyre hapsinor kanë pranuar se janë duke studiuar planet për ndërtimin e një baze të përhershme në Planetin e Kuq, nga ku mund të vazhdojë eksplorimi i hapësirës.
Megjithatë, komiteti i klerikëve vlerësoi se punimet për ndërtimin e kësaj baze, të cilat mund të nisin në 2025-n, janë tejet të rrezikshme dhe se marrja pjesë në to mund të shkaktojë vdekjen, në rrethana të ngjashme me ato që e bëjnë një vdekje të klasifikohet si vetvrasje.
Në besimin islamik, por edhe në atë të krishterë, vetvrasja konsiderohet si një prej mëkateve më të rënda që një besimtar mund të realizojë dhe katolikët nuk pranojnë të varrosin të vetvrarët në varrezat e kishës deri në ditët e sotme.
“Një udhëtim i tillë në Mars kanos jetën në një mënyrë të atillë, sa që nuk mund të justifikohet nga Islami. Ka një mundësi që personat që udhëtojnë në Mars të mos mund të mbijetojnë, për shkak të kushteve ekstreme në këtë planet”, shkruante të mërkurën “Khaleejtimes”.
Profesori sunit Faruk Hamada, një prej dijetarëve të lartë myslimanë të Emirateve, citoi një pjesë nga Kurani, konkretisht vargjet 4/29, kur tha: “Mbrojtja e jetës ndaj çdo rreziku të mundshëm parashikohet qartësisht në këtë varg kuranor. Në Kuranin e Shenjtë, Allahu i Madhërishëm thotë qartë: “Mos vrisni veten ose tjetrin””.
Marsi është planeti më i afërt me Tokën, por temperaturat në të arrijnë vlera të papërballueshme për jetën siç e njohim ne, ndërsa 95% e atmosferës së Marsit përbëhet nga dioksidi i karbonit.
Top Channel