“E urrej të shkoj në shtrat natën”, familja Osbourne rrëfen dhimbjen pas vdekjes së Ozzy-t Një piktor në jug të Floridës ka përfunduar në pranga e përballet me
gjyqin pasi shkatërroi qëllimisht një vazo të artistit të famshëm
disident kinez, Ai Weiwei.
Vazoja e thyer kushtonte plot 1 milion dollarë. 51-vjeçari Maximo Caminero, me origjine nga Republika Domonikane, përdori këtë mënyrë ekstreme për të protestuar ndaj faktit që muzeu i artit “Perez” në Majemi nuk ekspozonte vepra të artistëve lokalë, duke preferuar vetëm ata ndërkombëtarë.
Por gjesti ekstrem duket se do t’i kushtojë më shtrenjtë nga sa mendonte. Caminero vetë pohoi gjatë një telefonate për “Reuters” se nuk ia kishte idenë që vazoja mund të kushtonte aq shumë dhe se vetë është admirues i Weiwei.
“Nuk e dija që mund të bëhej fjalë për një shumë të tillë. Sinqerisht, mendova se ishte ndonjë poçe e thjeshtë argjile, nga ato që gjen edhe nëpër magazina”, ka thënë Caminero.
Vetë Ai Weiwei, i cili u arrestua në 2011-n gjatë një vale masash të marra nga autoritetet kineze kundër disidentëve, u shpreh se nuk e kupton dot e nuk e mbështet shkatërrimin e veprës nga një koleg, ndërsa sqaroi se punët e tij nuk janë ekspozuar kurrë në Kine.
Vazoja e shkatërruar ishte një prej 16 të tillave të pikturuara në ngjyra të shndritshme nga Weiwei, por si origjinë ato datojnë 2.000 vjet më parë dhe sipas artistit, i përkasin dinastisë kineze Han.
56-vjeçari përdor prej kohësh enë dhe artefakte antike për punën e tij, e kjo ka tërhequr edhe kritika për faktin që ngyroset mbi origjinalin.
Top Channel