
Koordinatorja e OKB-së për ndihmat humanitare, Valeri Amos i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të veprojë menjëherë për të garantuar hyrjen e ndihmave në Siri.
Ajo e quajti të papranueshme, që ushtria dhe kryengritësit po shkelin në mënyrë flagrante ligjin humanitar. Duke informuar Këshillin e Sigurimit të enjten, Baronesha Amos tha:
“Është e papranueshme që katër muaj prej kohës kur anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan veprim, ligji humanitar ndërkombëtar shkelet në mënyrë të vazhdueshme dhe skandaloze nga të gjithë palët në konflikt, të cilat dështuan në mbrojtjen e civilëve. Ne e dimë që lufta vazhdon, por edhe lufta ka ligjet e veta”.
Duke folur për gazetarin e BBC-së, Nik Brajënt, Baronesha Amos tha se armëpushimi i arritur me ndihmën e OKB-së, që u dha mundësi civilëve të largoheshin nga qyteti i rrethuar i Homsit, nuk ofroi një zgjidhje afatgjatë.
Çështja është bllokuar në Këshillin e Sigurimit. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca janë të një mendjeje për hartimin e një rezolutë me terma të ashpra, por ajo është kundërshtuar nga Rusia, e cila ka paraqitur një tjetër draft për të luftuar terrorizmin në Siri, duke ofruar edhe nje plan të sajin për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmave.
Prej së mërkurës, avionët ushtarakë kanë vënë në shenjestër Jabrudin. Qyteti është bastioni i fundit i kryengritësve në malet Kalamun, në afërsi të kufirit me Libanin.
Luftimet janë intensifikuar në Siri dhe të dy palët po përpiqen të fitojnë terren, ndërsa bisedimet për paqen në Gjeneve të Zvicrës kanë mbetur pezull. I derguari i OKB-së në Siri, Lakdar Brahimi u takua me zyrtarët amerikanë dhe rusë, te cilët, siç tha ai, i kërkuan atij të zhbllokojë situatën.
Por Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha të premten se Moska ka një përshtypje se, “ekzistojnë përpjekje për t’u ndryshuar drejtimin bisedimeve të Gjenevës”. Pa përmendur emra, kryediplomati rus tha se: “ata që mbështesin opozitën kanë vetëm një gjë në mendje, ndryshimin e rregjimit sirian”.
Konflikti civil në Siri, që nisi në marsin e vitit 2011, numëron sot mbi 100 mijë viktima dhe të paktën 9.5 milionë sirianë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
Top Channel