Jemen, shpërthim pranë burgut, 10 viktima

14/02/2014 00:00

Një i armatosur ka ndërmarrë një sulm vdekjeprurës në burgun kryesor të kryeqytetit të Jemenit, Sanaa.

7 policë dhe 3 militantë janë vrarë gjatë sulmit, raporton agjencia shtetërore e lajmeve. Sipas saj, një numër të dënuarish kanë mundur të arratisen nga qelitë.

Asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit të së enjtes, por dihet që Jemeni ndodhet në mes të një kryengritjeje të udhëhequr nga militantët e lidhur me al-Qaeda-n. Dega e al-Qaeda-s në Jemen është një nga më aktivet dhe më të fuqishmet në botë.

Dëshmitarë thanë se një shpërthim i fuqishëm ndodhi pranë burgut dhe militantët besohen që të kenë përdorur një makinë-bombë gjatë sulmit.

Burgu ndodhet në rrugën kryesore që të çon drejt aeroportit, i cili u mbyll si rezultat i luftimeve. Al-Qaeda në Gadishullin Arabik (AQAP) ka përfituar nga vakuumi i pushtetit, i krijuar pas vdekjes së ish-presidentit Ali Abdullah Saleh, në vitin 2012.

Në Dhjetor, militantët sulmuan Ministrinë e Mbrojtjes në kryeqytet, duke vrarë mbi 50 persona dhe duke plagosur mbi 160 të tjerë. Rrëmbimet e shtetasve të huaj janë rritur së tepërmi gjatë kësaj kohe.

Të mërkurën, një shtetas britanik u rrëmbye nga një grup i panjohur, duke shënuar kështu rastin e dytë të pengmarrjeve të të huajve gjatë këtij muaji.

Top Channel