Stuhia e akullt godet SHBA-të

13/02/2014 00:00

Ashtu siç ishte paralajmëruar, stuhia e frikshme e akullit po shkakton kaos në jug të Shteteve të Bashkuara e rrezikon të godasë edhe brigjet lindore të vendit.

Me mijëra vetë janë pa energji elektrike në Xhorxhia, Teksas, Karolinën e Veriut dhe atë të Jugut. Për shkak të akullit dhe erërave të fuqishme, avionët nuk janë ngritur nga pistat, e të paktën 2,600 fluturime janë anuluar.

Karolina e Veriut dhe Virxhinia po përgatiten për 30 centimetra borë; Uashington DC pret një shtresë të bardhë prej 20 centimetrash, dhe Nju Jorku, me të gjithë gjasat, do të mbulohet gjatë natës nga 25 centimetra dëborë.

Akulli fajësohet për të paktën 6 vdekje nga aksidentet rrugore në Teksas dhe Misisipi. Shërbimi Meteorologjik Kombëtar foli për një stuhi të përmasave “historike”, gati apokaliptike, krahasuar me sistemet e ngjashme që goditën Atlantën në 1973-shin, e më pas në vitin 2000.

Për “Chicago Tribune”, moti ekstrem e ka paralizuar të gjithë jugun e vendit. Ky sezon dimëror ka qenë mjaft i hidhur për Amerikën, verilindja e së cilës u godit nga dy stuhi të fuqishme dëbore, njëra pas tjetrës.

Por, kjo e fundit i ndryshon disi gjërat për jugun: ajo ka sjellë acar, shi të ngrirë e një stuhi akulli, që nga ekspertët përshkruhen si “tepër të rrezikshme”.

Grumbullimet e akullit, thonë ata, përveç rrëshqitshmërisë së rrugëve, do të rëndojnë edhe degët e pemëve e linjat e tensionit të lartë. Me vazhdimin e stuhisë, autoritetet po përgatiten për një situatë të ngjashme me atë të 14 viteve më parë, kur më shumë se 500,000 shtëpi e biznese mbetën pa energji elektrike, ndërsa fatura totale e dëmeve kalonte 35 milionë dollarët.

Top Channel