SHBA, skandalet e korrupsionit

13/02/2014 00:00

Seria e skandaleve të korrupsionit, që ka prekur së fundmi Pentagonin, duke detyruar mbajtjen e disa seancave dëgjimore në Kongres, ka vënë në pozicion të vështirë Sekretarin Chuck Hagel, por mbi të gjitha ngre pyetje serioze mbi mungesën e përgjegjësisë në të gjithë ushtrinë amerikane, gjë të cilën shumë e konsiderojnë si të paprecedent.

Marina amerikane, Forcat Ajrore dhe Roja kombëtare e Ushtrisë janë nën hetim, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Incidentet shtrihen nga fushat e Montanës, ku mbahen në gatishmëri lëshimi raketat balistike me mbushje bërthamore, e deri tek objektet e Gardës Kombëtare në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në portet e Azisë Lindore, ku ndodhen anije të marinës amerikane, thotë “Zëri i Amerikës”.

Kjo situatë e detyroi Sekretarin e Mbrojtes, Chuck Hagel, të njoftonte të premten e kaluar se kishte caktuar një gjeneral të lartë për t’u marrë me çështjet e etikës në ushtri.

Komisioni i Kongresit, që mbikqyr qeverinë, i kryesuar nga ligjvënësi Darrell Issa, përgatitet të zhvillojë një seancë dëgjimore lidhur me skandalin, ku është përfshirë kompania me bazë në Singapor, “Glenn Defense Marine Asia”.

Hetuesit thonë se presidenti i kompanisë, Leonard Glenn Francis, i ka dhënë ryshfete oficerëve të Marinës amerikane në formën e parave, udhëtimeve luksoze, apo shoqërueseve të luksit, me qëllim nxjerrjen e përfitimeve për biznesin e tij.

Një tjetër skandal korrupsioni i Marinës përfshin ekipin e famshëm të forcave speciale, “SEAL Team Six”. Kjo skemë përfshin silenciatorët e prodhuar për armët e forcave SEAL. Prodhimi i kësaj pajisjeje kushton 8 mijë dollarë, por ushtrisë amerikane iu dha fatura prej 1,6 milionë dollarësh.

Incidenti e detyroi Sekretarin e Marinës, Ray Mabus, të kërkonte dorëheqjen e nën/Sekretarit, Robert Martinage.

Ndërkohë, Forca Ajrore është duke u hetuar për çështjen, nëse të paktën 92 oficerë kanë mashtruar me testet për t’u kualifikuar si specialistë për lëshimin e raketave balistike bërthamore.

Marina, po ashtu, është në kërkim të skandaleve të ngjashme. Dyshime te shumta rrethojnë edhe procedurat e regjistrimit të ushtarëve në radhët e Gardës Kombëtare.

Senati zhvilloi së fundi seanca dëgjimore mbi akuzat se, rekrutuesit dhe persona të tjerë kanë grabitur deri në 66 millionë dollarë, përmes një skeme ku përfshihen bonuse nga regjistrimi i ushtarëve.

Top Channel