
Ish-kryebashkiaku i New Orleans, Ray Nagin, i cili ka drejtuar qytetin gjatë kohës kur u godit nga uragani Katrina, është shpallur fajtor për korrupsion.
Ai ndihmoi kontaktorët të siguronin miliona dollarë punime, në këmbim të ryshfetit, udhëtimeve falas dhe dhuratave të tjera. Nagin, 56 vjeç, u akuzua që në Janar të vitit 2013, teksa tashmë shpallet fajtor për 20 nga 21 akuzat e ngritura ndaj tij.
Si kryebashkiak i qytetit nga 2002-2010, ai u kritikua për dështimin në implementimin e planit të evakuimit, kur uragani Katrina goditi New Orleans, në vitin 2005. Përpara se të lexohej verdikti, Nagin tha në ambientet e jashtme të gjykatës federale të New Orleans, se “ai kishte qenë i qetë në lidhje me këtë verdikt prej kohësh”.
Prokurorët argumentuan gjatë seancës gjyqësore se Nagin kishte marrë të paktën 500 mijë dollarë ryshfet, duke nisur që përpara se të godiste uragani Katrina, por vijoi edhe gjatë periudhës së rimëkëmbjes së qytetit pas tij.
Në marrjen e ryshfetit përfshihen parà, pushime falas dhe disa ton graniti falas për kompaninë e gurit, që Nagin dhe djemtë e tij zotërojnë.
Në këmbim, bizneseve lokale iu dhanë kontrata konsultative dhe ndërtimi me qytetin. Nagin, një demokrat, ka shërbyer për 2 mandate. Gjatë dëshmisë së tij, ai mohoi të ketë marrë ryshfete, duke thënë se ai ishte i detyruar të miratonte kontratat e dhëna ndaj ofruesve më të lirë, apo përmes një procesi të rekomanduar nga paneli.
Të paktën 4 ndihmës të tjerë të Nagin u shpallën gjithashtu fajtorë mbi këtë çështje.
Top Channel