
Policia holandeze dyshon se ish-ministrja e Shëndetësisë, Els Borst, që u gjet e vdekur ditën e hënë, ishte viktimë e një krimi.
Trupi i gruas 81-vjeçare u gjet nga një mik i saj në garazhin e shtëpisë, në afërsi të qytetit qendror të Utrehtit. Ajo kishte marrë një lëndim dhe policia deklaroi atëherë se analizat tregonin se kishte të ngjarë të kishte qenë një “veprim i gabuar”.
Els Borst ndihmoi në shtyrjen përpara të legjislacionit që në vitin 2001 e bëri Holandën vendin e parë me eutanazi të legalizuar. Ajo ishte gjithashtu nismëtarja e ligjit që lejonte përdorimin e indeve nga fetuset e aborduara për kërkime mjekësore.
Eksponentë të politikës në Holandë kanë reaguar të tronditur ndaj njoftimit të fundit të policisë. “Nga hetimet e bëra deri tani është treguar se ajo vdiq për shkak të një krimi”, thuhet në një komunikatë për shtyp.
Sipas njoftimit, hetimet paraprake të bëra në shtëpinë në lokalitetin Bilthoven kishin rezultuar të pamjaftueshme dhe një ekzaminim post mortem i kryer të martën përcaktoi se zonja Borst nuk kishte vdekur nga shkaqe natyrale.
Më pas, ekzaminimet e kryera më vonë sugjeruan se gjasat më të mëdha janë që ajo të jetë vrarë. Një zëdhënës i gjyqësorit holandez i tha televizionit publik lokal se ka mundësi që ish-ministrja të jetë sulmuar nga një hajdut.
Top Channel