
Parlamenti belg i dha dritën jeshile projektligjit të eutanazisë për të miturit e sëmurë rëndë, pa kufizime moshe.
Kur ligji – i aprovuar me 86 vota pro, 44 kundër e 12 abstenime, – të marrë firmën e Mbretit, Belgjika do të bëhet vendi i parë në botë, që heq çdo limit moshe në lidhje me praktikën e shumëdiskutuar.
Eutanazia, apo e drejta për të vdekur, sipas legjislacionit në fjalë mund të kërkohet nga fëmijët e sëmurë, që kanë dhimbje të mëdha e nuk mund të ndihmohen me asnjë trajtim mjekësor.
“Nuk është momenti të themi se ka vende të mira e vende të këqija, se ka prindër të mirë e prindër të këqinj; disa janë pro-jetës, disa janë pro-vdekjes. E gjithë kjo ka të bëjë me situata jashtëzakonisht komplekse, që ekzistojnë dhe në praktikë. Ne u përpoqëm të garantonim një kornizë ligjore, e cila t’u japë fëmijëve të drejtat dhe lirinë e zgjedhjes, t’u japë prindërve lirinë dhe sigurinë, e t’u japë gjithashtu mjekëve ligjin, që edhe ata e kërkojnë”, tha Karine Lalieux, ligjvënëse pro-eutanazisë.
Argumenti kryesor i kundërshtarëve të ligjit është se fëmijët nuk mund ta marrin dot vetë një vendim të tillë kaq të vështirë.
Në Holandën fqinje, eutanazia është e ligjshme për të miturit mbi 12 vjeç, nëse merret dhe miratimi i prindërve.
Sipas kushteve të vendosura për këtë rast, kërkesën e eutanazisë duhet ta plotësojë mjeku, i cili do të gjykojë nëse ajo bëhet me vullnet të plotë dhe pacienti ka vërtet vuajtje të padurueshme, pa asnjë perspektivë përmirësimi.
Belgjika e ka miratuar që në vitin 2002 ligjin e eutanazisë për personat e sëmurë rëndë mbi moshën 18 vjeç. Por, reagimet ndaj lëvizjes së fundit kanë qenë të mëdha, duke nisur që nga njerëzit e thjeshtë e deri te politikanë dhe krerë të kishës, të cilët e konsiderojnë ligjin të pamoralshëm.
Top Channel