Apple kundër konflikteve të armatosura

13/02/2014 00:00

Kolosi i elektronikës Apple ka filluar të publikojë emrat e furnizuesve të saj me lëndë të parë, që mund t’i nxjerrin ato nga zonat e përfshira nga konfliktet e armatosura.

Minierat e luftës, siç njihen ndryshe, janë minierat në zonat e përfshira nga luftrat civile ose abuzimet me të drejtat e njeriut, siç është Republika Demokratike e Kongos.

Shumica e pajisjeve elektronike përmbajnë minerale si: ar, tantal, metal apo tungsten. Mbledhja e këtyre materialeve kontrollohet në shumicën e rasteve nga milici që përfitojnë shuma të mëdha parash dhe shfrytëzojnë të tjerët për t’i nxjerrë ato nga minierat.

Firmat e elektronikës janë nën presionin e grupeve të të drejtave të njeriut për të përdorur influencën e tyre që furnizues të tillë të mos kontraktohen më.

Lista e parë e publikuar tregon me detaje 104 furnizues që ishin të paidentifikuar, bazuar në rregullat e etikës që parashikojnë ruajtjen e sekretit.

“Publikimi i origjinës së mineraleve që shërbejnë si lëndë e parë për produktet tona është një pjesë e rëndësishme e misionit tonë, për të siguruar kushte të sigurta dhe të ndershme për punëtorët”, deklaroi Apple në raportin e saj të fundit.

“Në janar 2014 ne konfirmuam se të gjithë shkrirësit e tantalit që na furnizojnë ishin të papërfshirë në zonat e konfliktit. Ndërkohë, ne po ushtrojmë presion mbi furnizuesit e metalit, arit dhe tungstenit që të verifikojnë burimet e tyre”, thuhet më tej në raport.

Lista e parë e publikuar tregonte se 59 shkrirës mineralesh ishin në përputhje me rregullat, ndërsa 23 të tjerë kanë rënë dakord që të bëhen pjesë e auditimit, që do të thotë se shumë shpejt statusi i tyre do të verifikohet.

Por nga ana tjetër dokumenti deklaron se statusi i 104 kompanive shkrirëse është i paidentifikuar, duke vënë në dukje rëndësinë e problemit.

Top Channel