
Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar rritjen e kufirit të borxhit qeveritar, pasi republikanët janë dorëzuar tashmë pas përpjekjeve për të siguruar lëshime nga demokratët në këmbim të këtij aprovimi.
Dhoma votoi 221 pro dhe 201 kundër, për të hequr limitin prej 17,2 trilionë dollarë të borxhit qeveritar për 1 vit, teksa vetëm 28 republikanë u bashkuan me shumicën e demokratëve në votim.
Zyrtarët thanë se SHBA-të mund të arrijnë limitin aktual të borxhit deri në fund të muajit Shkurt. Shtëpia e Bardhë dhe analistë të tjerë kishin paralajmëruar për katastrofë, në rast se SHBA-të do të shpallnin falimentin.
Projektligji, kur të nënshkruhet dhe të kthehet në ligj nga presidenti Barack Obama, do t’i lejojë qeverisë amerikane të sigurojë të tjera hua, për të financuar detyrimet e saj buxhetore dhe borxhet ndaj shërbimeve.
Qeveria amerikane do të përballet me një deficit buxhetor prej 514 miliardë dollarë gjatë vitit fiskal të 2014-s. Republikanët kanë mazhorancën në Dhomë, ndaj dhe shumë prej tyre kishin shpresuar të rrisnin aftësinë për të bllokuar rritjen e kufirit të borxhit qeveritar, në mënyrë që të fitonin lëshime nga Obama dhe demokratët, të cilët kontrollojnë Senatin.
Top Channel