Irak, 300 mijë të zhvendosur nga shtëpitë

12/02/2014 15:50

Të paktën 300 mijë persona janë zhvendosur nga banesat e tyre në krahinën irakene të Anbarit, ku po zhvillohen luftime të ashpra midis ushtrisë vendase dhe militantëve islamikë që kanë vendosur nën kontroll qytetin e Faluxhës dhe Ramadit.

Militantët e lidhur me Al-Kaedën arritën të nxirrnin nga qytetet forcat e sigurisë dhe të vendosnin kontrollin e plotë në këtë territor në fund të Dhjetorit 2013.

Që prej atëherë, trupat ushtarake, të mbështetura nga klane të ndryshme fisnore kanë nisur një mësymje të vështirë, shpesh e shndërruar në një luftë urbane, përballë pozicioneve të fortifikuara të militantëve.

Numri i të shpërngulurve është më i larti, që prej kulmit të dhunës sektare të vitit 2006-08, të shtypur atëherë nga koalicioni i udhëhequr nga amerikanët në Irak.

Ndërkohë, Bagdadit zyrtar i duhet të përballet edhe me një numër prej rreth 1,1 milionë personash të zhvendosur nga banesat e tyre prej vitesh, të cilët ende nuk janë mundur të rikthehen apo të sistemohen në banesa të reja.

Për shkak të dhunës ndërfetare në vendin me popullsi të ndarë në 60% shiitë, 35% sunitë dhe 5% të tjerë, të paktën 800 persona mbetën të vrarë gjatë Janarit.

Megjithatë, nga shifrat e publikuara prej OKB-së përjashtohet numri i panjohur i viktimave në krahinën e Anbarit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA