Hackerat homofobë morën kontrollin e një faqeje ruse të njohjeve homoseksuale, duke fshirë 70 mijë llogari përdoruesish dhe duke dërguar mesazhe kërcënuese tek mijëra të tjerë.
Themeluesi i “Hunters”, një faqe që ngjason me amerikanen “Grindr”, bëri të ditur se vetëm disa ditë përpara fillimit të Lojrave Olimpike Dimërore në Sochi, një numër hakerash goditën dhe bllokuan shërbimet e njohjes që ofron faqja.
Midis të tjerave, përdoruesve iu nis edhe një mesazh, në të cilin lexohej: “Kujdes. Ju do të arrestoheni dhe burgoseni për prapagandë homoseksuale në Sochi, në bazë të ligjit federal rus, ligji 135, neni 6”.
Lojrat e Sochit janë kritikuar gjerësisht dhe bojkotuar nga disa lidera shtetesh, pasi Rusia aprovoi disa ligje që kufizojnë të drejtat e personave gay gjatë vitit të shkuar.
Midis ligjeve më kontradiktore të aprovuara në Rusi me propozim të vetë presidentit Putin ishte edhe ai i ndalimit të “propagandës së marrënieve jo-tradicionale”.
Në bazë të këtij ligji, kushdo që flet në publik në mbështetje të homoseksualizmit rrezikon të dënohet me burgim ose gjobë.
Top Channel