
Pastrimi i fytyrës është një trajtim që duhet të kryhet si nga femrat
ashtu edhe nga meshkujt, të paktën një herë në jetë, për të përfituar
mjaft të mira.
Koncepti i pastrimit të fytyrës shkon përtej eliminimit të thjeshtë të papastërtisë! Përse? Sepse t’i bësh një pastrim tërësor fytyrës do të thotë të kujdesesh për veten, ta mbash lëkurën në gjendjen më të mirë dhe të parandalosh depozitimin e baktereve. Në të kaluarën, gratë “vraponin” pas përdorimit të sfungjerëve dhe fashave me ujë të ngrohtë për të pastruar fytyrën e tyre.
Në ditët e sotme, praktika të tilla janë zëvendësuar nga “gjeneratorë” modernë me avull dhe trajtimi kryhet nga estetiste të specializuara. Për zgjedhjen e metodës, është e nevojshme të vëzhgohet me kujdes lloji i lëkurës për të gjetur kozmetikët, pajisjet, procedurat dhe frekuencën e trajtimit.
Pastrimi klasik i fytyrës
Si të gjitha fushat, edhe estetika ka bërë hapa përpara në drejtim të saj. Përgjithësisht, kur flitet për pastrimin e fytyrës, pothuajse të gjithë imagjinojnë atë “klasikun”: avullin, shtrydhjen e pikave të zeza/puçrrave dhe maskën e fytyrës. Deri pesë vjet më parë, nga qendrat estetike dilnim të fshehura pas syzeve ose shallit, sepse rezultati i shtrydhjes ishte më shumë se i dhunshëm. Përveç kësaj, duhet të prisje të paktën një ditë të tërë për të parë efektet e vërteta të pastrimit.
Ultratingujt
Ndërkohë, në ditët e sotme, ekzistojnë shumë trajtime më pak të dhunshme, por me të njëjtat përfitime. Bëhet fjalë për një teknologji avangardë, dedikuar trajtimit të lëkurës së fytyrës, të qafës dhe të dekoltesë. Aplikimi i ultratingujve mbi lëkurë bën që qelizat e vdekura të lëkurës të hiqen butësisht. Ultratingujt transmetohen në lëkurë nëpërmjet përdorimit të një spatule që dridhet me një frekuencë prej 27000 herë në sekondë (hz). Ky është komplet një trajtim pa dhimbje dhe që veçanërisht nuk lë shenja të shëmtuara, por e bën lëkurën të lëmuar, të butë dhe me shkëlqim.
Acidi glikolik
Acidi glikolik është një acid natyral i nxjerrë nga kallami i sheqerit. Bëhet fjalë për një molekulë aktive që përdoret për përqendrim të lartë mjeko-estetik për të provokuar hapjen e poreve, duke ndikuar më pas në një rigjenerim të saj. Ndërkaq, ky acid është i duhuri për të trajtuar aknet dhe njollat e diellit mbi lëkurë.
Oksigjen i “koncentruar”
Një trajtim me oksigjen bëhet përmes një teknike të perfuzionit të lëkurës, duke përdorur një aparat të sofistikuar që prodhon oksigjen në përqendrim të lartë. Oksigjeni, së bashku me serumet, lejon një reaktiv shumë të koncentruar në lëkurë, me një intensitet progresiv nga estetistja. Oksigjeni redukton apo eliminon dukshëm shenjat që shfaqen me kalimin e kohës, duke vepruar mbi rrudha, duke përfshirë edhe ato të shprehjes. Përveç kësaj, ai rioksigjenon në thellësi lëkurën, duke i dhënë një pamje të shndritshme dhe të shëndetshme.
Top Channel