Në zemrën e asteroidit për të kuptuar sistemin tonë diellor

07/02/2014 00:00

Si është ndërtuar sistemi ynë diellor? Po universi? Njerëzimi ka qenë, është dhe ndoshta të të vazhdojë të jetë për një kohë të gjatë në kërkim të përgjigjjeve për këto pyetje.

Grupi i shkencëtarëve kanë publikuar në revistën “Astronomy and Astrophysics” një raport mbi përbërjen e asteroidit “25143 Itokawa” nga të dhënat e siguruara nga sonda japoneze Hayabusa dhe nga vëzhgimet me teleskop nga toka.

“25143 Itokawa” bën pjesë në grupin e trupave qiellorë që orbitojnë në një distancë relativisht të afërt me Tokën, të quajtur ndryshe NEA, nga anglishtja “Near Earth Asteroids”. Kjo familje asteroidësh mendohet se përbëhet nga rreth 9500 të tillë dhe disa prej tyre mund t’i afrohen ndjeshëm planetit tonë, duke përbërë në një farë mënyre një kërcenim serioz.

Ky nuk është rasti i “25143 Itokawa” i cili në pikën më të afërt me Tokën është plot 140 milion kilometra, një distancë e krahasueshme me atë Tokë-Diell.

Shkencëtarët kanë mjaft informacione mbi këtë asteroid, për formën dhe përbërjen e tij të jashtme dhe kjo falë sondës japoneze “Hayabusa” e cila është ulur në dy raste në sipërfaqen e tij duke dërguar në Tokë verfikimet e kryera.

Por këto informacione janë të vlefshme vetëm për të kuptuar ndërtimin e koracës së asteroidit, ndërsa për përbërjen e tij, shkencëtarët përdorën një teknikë tjetër, shumë të sofistikuar të kombinuar me një sërë vëzhgimesh që nga 2001 deri në vitin 2013.

Në përfundim të studimit, astronomët thonë se “Itokawa” përbëhet nga rajone me densitet të ndryshëm, në varësi të dritës së diellit, e cila përvec densitetit ndikon edhe në kohëzgjatjen e rrotullimit të trupit qiellor rreth vetes, që përafërsisht shkon në 12 orë.

“Për herë të parë mund të përcaktojmë se si është i ndërtuar në brendi një asteroid. Itokawa ka një strukturë që ndryshon dhe ky zbulim është një tjetër hap i rëndësishem për të kuptuar trupat qiellorë në sistemin tonë”, thotë Stephen Lowry, udhëheqës i studimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB