Fobitë, frikërat që na vështirësojnë jetën

06/02/2014 00:00

Janë frikëra të paarsyetuara, të tepruara dhe shpeshherë të çmendura. Të bëjnë të humbasësh ndjenjat, vetëkontrollin, arsyen dhe nuk i komandon thuajse kurrë.

Fobitë janë ato çka me plot gojën mund t’i quash frikëra që të dëmtojnë përditshmërinë dhe ta bëjnë jetën më të komplikuar. Prej tyre nuk shpëton thuajse askush. I ri apo i moshuar, femër apo mashkull, i pasur apo i varfër, person i panjohur apo njerëz të njohur.

Por cilat janë fobitë e disa prej njerëzve më të famshëm të televizionit? Prezantuesja legjendare Oprah Winfrey ka fobi nga çamçakëzi, fobi e krijuar që në fëmijëri, kur gjyshja e saj i ngjiste ato nëpër tavolina.

Aktorja e njohur e Hollivudit Nicole Kidman ka fobi fluturat, këngëtarja e famshme Rihanna peshqit, Orlando Bloom derrat dhe Robert de Niro nga dentistët.

Madje, as udhëheqës shtetesh dhe njerëz që kanë drejtuar luftëra nuk i kanë mposhtur fobitë nga të cilat kanë vuajtur gjatë gjithë jetës së tyre. Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Washington, kishte fobi nga vdekja e parakohshme, Richard Nixon frikësohej për vdekje nga spitalet, ndërsa për Napoleon Bonapartin thuhet se macet i shkaktonin fobi të llahtarshme.

Fobikë nga macet kanë qenë gjithashtu edhe Hitleri, Musolini dhe Jul Çezari. Të mëdhenjtë e kinematografisë botërore si Woody Allen apo Alfred Hitchcock janë gjithashtu fobikë. Allen është multifobik duke nisur nga lartësitë, hapësirat e mbyllura dhe insektet e duke vijuar me fobitë nga ngjyrat e shndritshme, kafshët, ashensorët dhe kikirikët me gjalpë.

Ndërsa Hitchcock kishte fobi nga vezët pasi e konsideronte të tmerrshme strukturën e tyre.

Fobitë e Bledi Strakoshës

Aulona Minga, mikja e Bledi Strakoshës, tregon fobitë e tij për emisionin ‘Pasdite në Top Channel’.

“Bledi ka fobi lartësinë dhe më habit fakti që shtëpinë e ka në katin e dhjetë. Ka një ballkon shumë të këndshëm, por nuk qëndron shumë aty”, thotë gazetarja.

Ajo shton se një tjetër fobi e moderatorit të njohur janë edhe vendet e populluara.

“I ka fobi vendet shumë të populluara. Nëse do të pish kafe me Bledin, të jesh i sigurtë që ai do të gjejë ndonjë vend të fshehur, me shumë pak njerëz.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB