
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi priti të mërkurën në një takim drejtorin e përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike.
Thaçi e njoftoi zotin Danielsson për hapat që ka ndërmarrë dhe po vazhdon të ndërmarrë qeveria e Kosovës në përmbushjen e axhendës evropiane, përmes reformave në të gjitha fushat, veçanërisht në legjislacion dhe në zbatimin e tij.
Kryeministri Thaçi theksoi gatishmërinë e tij dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për plotësimin e të gjitha kritereve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe marrëveshjeve të tjera me Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, Thaçi në mënyrë të veçantë është shprehur në favor të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se, “Kosova ka ndërtuar raporte të mira me të gjitha vendet fqinje dhe është e gatshme që të ndërtojë relata fqinjësore si dy shtete të pavarura edhe me Serbinë”.
“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes dy vendeve, që u arrit më ndërmjetësimin e BE-së dhe me mbështetjen e SHBA-së, është një fillim i mbarë jo vetëm për dy vendet tona, por për mbarë rajonin”, u shpreh Thaçi.
Më tej, ai theksoi rëndësinë e procesit zgjedhor dhe përfundimin me sukses të këtyre zgjedhjeve me pjesëmarrjen edhe të 4 komunave të veriut të Kosovës.
Top Channel