Në shitje shënimet personale të Papa Gjon Palit II

05/02/2014 00:00

Dolën në shitje në Poloni dorëshkrimet personale të Papa Gjon Palit II, dorëshkrime të hedhura në letër prej tij në më shumë se 40 vjet, pavarësisht amanetit të Atit të Shenjtë për t’i djegur ato pas vdekjes së tij.

Shënimet janën në dorëzim të Kardinalit polak, Stanislaw Dziwisz, ish-sekretari personal i Papa Gjon Palit II. Ai thotë se nuk gjeti kurajon për të plotësuar amanetin e Vojtilës dhe për t’i djegur shënimet.

Në total janë rreth 640 faqe të ndara në dy pjesë, “Në duart e Zotit” dhe “Shënime Personale” të shkruajtura në letër nga 1962 deri në 2003 e ku Karol Vojtila hedh në letër refleksione mbi besimin, që nga koha kur ishte peshkop në Krakovi e deri 2 vjet para vdekjes së tij.

Kardinali Dziwisz tha për mediat se nuk ka kurrëfarë dyshimi për publikimin e tyre.

“Këto shënime janë aq të rëndësishme, flasin aq shumë për anën shpirtërore, për njeriun, për Papën e madh, sa do të ishte krim shkatërrimi i tyre”, thotë ai.

Refleksionet e Atit të Shenjtë janë hedhur tepër të qartë në shënime, disa të ndërtuara me mjeshtëri në vetëm një fjali.

Kardinali Dziwisz tha se kishte folur më Papën se cilat shënime duheshin shkatërruar dhe cilat jo. Ai është njeriu më i afërt i Atit të Shenjtë në 4 dekada, fillimisht në Krakov, në jug të Polonisë e më vonë në Vatikan.

Papa Gjon Pali i II ndërroi jetë më 2 prill të 2005-ës në moshën 84-vjeçare. Ai udhëhoqi Kishën Katolike nga 16 tetori i 1978 deri në momentin e vdekjes duke u bërë Papa i dytë me jetëgjatë në histori dhe i pari jo italian, që nga koha e Papës Adiran VI në shekullin e 16-të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB