Irak, valë shpërthimesh në Bagdad

05/02/2014 00:00

Të paktën 25 persona mbetën të vrarë dhe 30 të tjerë të plagosur, pas një serie shpërthimesh vetvrasëse që goditën mëngjesin e së mërkurës kryeqytetin e Irakut, Bagdad.

Të tre sulmet ndodhën në postoblloqet përreth një zone të fortifikuar e të kufizuar të qytetit, brenda të cilës ndodhen insitucionet dhe ambasadat e huaja.

Ky është sulmi më i rëndë që ka shënjestruar forcat qeveritare në këto postoblloqe.

Përfaqësuesi i OKB-së në Irak, Nickolay Mladenov, dënoi me termat me të ashpër dhunën që po përjeton aktualisht Iraku.

“Bagdadi përjetoi sot një valë sulmesh të përbuzshme terroriste. Ata që orkestrojnë këto vepra duhet të dënohen me termat më të ashpër nga politika, krerët fetarë dhe krerët e shoqërisë civile. Liderat politikë të Irakut duhet të shfaqin një unitet kombëtar në përballimin e kërcënimeve të tilla të ngritura nga terrorizmi”, deklaroi Mladenov.

Aktualisht, një gjendje alarmi është vendosur në Bagdad, në rrugët e të cilit janë ngritur shumë postoblloqe.

Iraku po përballet me një dhunë ndërfetare në rritje, e cila i mori jetën të paktën 8 mijë personave gjatë 2013-s.

Vendi ndodhet në prag të luftës civile dhe më parë gjatë Dhjetorit, militantë islamikë të organizatës terroriste të Levantit dhe Irakut pushtuan qytetin e Faluxhës, në veriperëndim të Bagdadit.

Dhuna në përshkallëzim ka lënë të pastrehë 140 mijë persona, vlerësohet prej OKB-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB