
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga ministri i Ambjentit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka vizituar të martën Parkun e Prevallës, pikërisht vendin ku pak kohë më parë u shembën ndërtimet pa leje.
“Jam sot këtu për t’i dhënë mbështetje të plotë vendimit të Ministrisë së Ambjentit për pastrimin e plotë të kësaj zone të mrekullueshme të bjeshkëve të Kosovës. Bjeshka e Prevallës është bukuri e jashtëzakonshme e Kosovës, është një bukuri natyrore, por edhe turistike dhe ne kemi të gjithë detyrimin që ta mbrojmë nga dëmtimi, shëmtimi dhe degradimi”, deklaroi Thaçi.
“Jemi sot këtu, së bashku me ministrin Gashi që të shikojmë hapat e mëtejshëm që po ndërmerren. Veprimet e para janë ndërmarrë, është pastruar një pjesë e madhe e hapësirës që ka qenë më herët e uzurpuar. Do të vazhdohet edhe në pjesë të tjera dhe është një aksion që do të përfshihet në katër faza”, nënvizoi Thaçi.
Ai saktësoi më tej se: “Tani jemi në fazën e dytë. Tani do të kemi edhe Ligjin për Legalizimet, që janë diku mbi 500 mijë leje që kanë ndodhur dhe që do të ndodhin në të ardhmen”.
Top Channel