SHBA, “British Petroleum” humb sërish

04/02/2014 00:00

Një gjykatë federale amerikane ka hedhur poshtë përpjekjet e kompanisë së naftës “BP”, për të ndërprerë pagesat në lidhje me dëmet e shkaktuara nga derdhja e naftës në platformën Deepwater Horizon.

Trupi gjykues tha gjithashtu se një vendim i mëhershëm i një shkalle gjyqësore më të ulët, për ndalimin e pagesave të dëmshpërblimeve, duhet të shfuqizohet.

“British Petroleum” kishte argumentuar se disa kompani kishin ngritur ankesa fiktive për dëmtim nga derdhja e naftës.

Megjithatë, “marrëveshja e arritur nuk kërkon që një paditës të paraqesë prova se kërkesa e tij për dëmshpërblim ka ardhur si pasojë e derdhjes së naftës”, thotë vendimi i gjykatës.

“BP” e ka cilësuar si të padrejtë vendimin e gjykatës, duke thënë se nuk bie dakord me të. Në vitin 2012, “BP” pranoi të dëmshpërblente ata që kishin pësuar humbje ekonomike si pasojë e katastrofës të ndodhur në platformën Deepwater Horizon.

Shpërthimi i atëhershëm vrau 11 punëtorë dhe bëri që në oqean të derdheshin katër milionë fuçi nafte, duke shënuar tragjedinë më të rëndë ekologjike në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Por “BP” pretendon se formula e pagimit ishte shumë bujare dhe se shumë njerëzve e bizneseve po u paguheshin shuma të mëdha për ankesa të rreme.

Si pasojë e vendimit, kompanisë britanike do t’i duhet të paguajë më shumë milionë për bizneset nga sa kishte menduar më parë. Shifra e dëmshpërblimeve ishte fillimisht 7.8 miliardë dollarë, por më vonë ajo u rishikua duke vajtur në 9.2 miliardë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA