
Qendrimi i forcave të policisë në oborrin dhe përreth Rektoratit të Universitetit të Prishtinës edhe pse nuk kishte protesta ka nxitur një reaksion të organizatave studentore.
Studentë nga Organizata për Barazi, Studim, Kritikë, Veprim dhe Klubi Politik i Studentëve organizuan një aksion simbolik duke vendosur një pankartë me një tank të fotografuar e me mbishkrimin “Veç edhe kjo po ju mungon”.
Po ashtu studentët vendosën edhe një karrike mbi të cilën qëndronte një enë me bojë të kuqe në mënyrë që rektori Ibrahim Gashi të skuqet vetë dhe t’i çlirojë studentët nga ky detyrim, u shprehën organizatorët e aksionit.
Këtij aksioni i parapriu konferenca për media me paralajmërimin e një marshi tjetër për ditën e mërkurë. Në përkrahje të studentëve për marsh doli edhe Avni Zogjani, përfaqësues i shoqërisë civile dhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu.
Të mërkurën pritet të marshojnë studentë, profesorë, shoqëria civile e organizata të ndryshme, nga konviktet dhe nga përmendorja e Skëndërbeut drejt ndërtesës së Rektoratit. Studentët shtuan edhe një kërkesë, përmirësimin e infrastrukturës së qendrës së studentëve.
Ndërkohë, në një komunikatë të lëshuar gjatë së martës, Parlamenti Studentor, një organ që bën thirrje shpesh për ndërprerjen e protestave, ka thënë se nuk do të amnistohet askush, por se zgjidhja duhet të vijë përmes institucioneve dhe jo protestave, siç i quajnë ata, të manipuluara politikisht.
Top Channel