Pakistan, talebanët kritikojnë qeverinë

04/02/2014 00:00

Talebanët pakistanezë kritikuan qeverinë për mungesë serioziteti në bisedimet e paqes, ndërsa përfaqësuesit e Islamabadit munguan në takimin e parë që duhet të realizohej në kryeqytet.

Qeveria anulloi fillimin e bisedimeve, duke kërkuar vetëm pak ditë përpara nisjes së tyre të dhëna shtesë për ekipin e përfaqësuesve të “Tehreek-e-Taliban Pakistan”.

Takimi paraprak kishte si synim rënien dakord për krijimin e një axhende të bisedimeve të mëtejshme.

Militantët, të cilët zotërojnë rajone të gjëra tribale në veriperëndim të Pakistanit, kundërshtojnë në mënyrë të armatosur autoritetin e qeverisë qëndrore që prej vitit 2007.

Besohet se mijëra persona kanë gjetur vdekjen në luftimet sporadike që janë verifikuar gjatë kësaj kohe, ndërsa Islamabadi përballet me një situatë të mungesës totale të kontrollit në zonat e talebanëve.

Nën udhëheqjen e një qeverie të re, të zgjedhur në 2013-n, Pakistani është zotuar që të zgjedhë rrugën e bisedimeve dhe jo armët, për të luftuar talebanët në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB