Një indian në krye të Microsoft

04/02/2014 00:00

Gjigandi i teknologjisë, Microsoft ka deklaruar se shefi i ardhshëm ekzekutiv i tij do të jetë Satya Nadella, që do të pasojë shefin në ikje Steve Ballmer.

Zoti Nadella është aktualisht shef i degës Cloud and Enterprise të Microsoft, që ndërton dhe menaxhon platformat kompjuterike të firmës, si dhe prodhon veglat e saj.

Në gusht zoti Ballmer deklaroi se do të tërhiqej brenda 12 muajsh. Liderë nga një sërë kompanish të suksesshme ishin shqyrtuar për këtë post.

Microsoft komunikoi gjithashtu se edhe themeluesi i saj Bill Gates do të tërhiqet nga posti i presidentit. Ai megjithatë do të marrë rolin e këshilltarit teknologjik dhe do të mbajë vendin e tij në bordin e kompanisë.

John Thompson, drejtues i një seksioni të Microsoft, thuhet se do të zëvendësojë zotin Gates në këtë detyrë. Zoti Thompson drejtoi komisionin e kërkimit për shefin e ri të Microsoft dhe tha se vitin e kaluar ishin identifikuar mbi 100 kandidatë të mundshëm.

Zoti Nadella është shefi i tretë ekzekutiv i Microsoft. 44-vjeçari me origjinë indiane u bashkua me kompaninë në vitin 1992 dhe është diplomuar në elektronikë, shkenca kompjuterike dhe administrim biznesi.

Më herët ai kishte drejtuar seksionin e serverit dhe veglave të Microsoft, para se të vendosej në krye të njësisë që krijoi shërbimin Cloud OS, përmes të cilit kanë dalë produkte si Bing, Skype dhe Xbox Live.

“Duke parë gjithë këtë periudhë transformimi mund të them se nuk ka person më të përshtatshëm se Satya Nadella për të drejtuar Microsoft”, tha themeluesi Bill Gates.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB