“Dëgjohen shpërthime”/ Gazetari Artur Bibe raporton nga Tel Aviv-i: Disa raketa balistike në ajër, u aktivizua ‘Iron Dom-i’ Opozita e Ukrainës kërkon ndryshimin e Kushtetutës dhe kthimin e asaj të vitit 2004, me qëllimin për të kufizuar pushtetin e zgjeruar të Presidentit Viktor Yanukovych, pas zgjedhjes së tij në vitin 2010.
Udhëheqësit e opozitës paralajmëruan se, nëse Parlamenti nuk do të veprojë në kohë, atëherë protestat anti-qeveritare do të ndizen më shumë. Ata folën përpara ligjvënësve, në një seancë të posaçme të Parlamentit të Ukrainës.
Nga ana tjetër, deputetët që mbështesin Yanukovych kundërshtuan propozimin. Kryetari i Parlamentit ka caktuar orën 10:00 të mëngjesit të së mërkurës, si afatin e fundit për gjetjen e një kompromisi. Sipas ndryshimeve; Parlamenti (e jo presidenti) duhet të caktojë Kryeministrin dhe anëtarët e qeverisë, si dhe guvernatorët rajonalë.
Pati debate të ndezura mes deputetëve, mëngjesin e së martës, kur dhe nisi seanca e Parlamentit. “U kërkoj të gjithëve të ndërmerrni rrugën kushtetuese dhe të ndaloni diktaturën, – tha kreu i lëvizjes “Udar”, Vitali Klitschko. – Le të rikthejmë atë Kushtetutë, që u lejon deputetëve të marrin vendime dhe jo vetëm të shtypin butona”.
Sipas tij, ishte e një rëndësie të madhe zhvillimi i menjëhershëm i zgjedhjeve presidenciale, për të fituar besimin e popullit. Por, Oleksandr Jefremov, kreu i partisë së rajoneve të Yanukovych, e akuzoi opozitën si të papërgjeshme.
Analistët thonë se aleancat partiake janë fluide dhe është e paqartë, nëse opozita mund të sigurojë shumicën në Parlament për këtë çështje.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, do të bisedojë me Yanukovych në Kiev, të mërkurën. Gjatë javës, pritet të mbërrijë edhe ndihmës/Sekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland.
Vizitat e tyre vijnë, pasi udhëheqësi i partisë “Atdheu”, Arseniy Yatsenyuk, kërkoi një “plan Marshall” për Ukrainën, duke iu referuar paketave të ndihmës së SHBA-ve për Europën, pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, Uashingtoni dhe Brukseli po bisedojnë për një ndihmë financiare për Ukrainën, nëse do të krijohet një qeveri teknokrate. Moska, që i ka ofruar Kievit një ndihmë prej 15 miliardë dollarëshe, kritikoi si BE-në ashtu dhe Perëndimin, se po ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Ukrainës.
Top Channel