Humbet bastin 7 mln dollarë në Superbowl

04/02/2014 00:00

Një bast i humbur i kushton plot 7 milion dollarë një rrjeti dyqanesh furnizimi në Shtetet e Bashkuara, që u kishte premtuar të gjithë klientëve të tij rikthimin e parave për të gjitha faturat nën 7 mijë dollarë nëse Seattle Seahawks fitonte në finalen e Superbowl-it.

Në fakt Seattle jo vetëm që fitoi, por mposhti thellë me rezultatin 43-8 skuadrën e Denver Broncos.

Pronari i rrjetit të dyqaneve, Jim McIngvale tha se ka nisur tashmë pagesat për klientët e tij, që janë rreth 1 mijë të regjistruar për bastin. Ai thotë se nuk pendohet për bastin e vënë dhe e cilëson këtë si një mundësi të mirë reklamimi të biznesit të tij, ndoshta më e mira.

“Të gjithë njerëzit flasin për Superbowl-in dhe ky bast i humbur ka bërë mediat që të flasin për këtë. Ky është goxha marketing dhe besoj që 7 milion dollarë ia vlejnë për të”, thotë ai për mediat amerikane.

Për t’u pranuar basti, klientët duhet të blinin të paktën 6 mijë dollarë produkte nga rrjeti i dyqaneve dhe mesatarja e blerjeve shkon në 7 mijë dollarë.

Kjo nuk është hera e parë që McIngvale u rikthen paratë klientëve të tij. Në çerekfinalet e Superbowl-it ai bëri të njëjtën gjë, vecse shuma e humbur ishte vetëm 700 mijë dollarë.

Finalja e Superbowl-it theu të gjitha rekordet e shikueshmërisë këtë vit. Sipas rrjetit televiziv Fox, 115.3 milion e ndoqën atë në pjesën e parë, atëherë kur performuan Red Hot Chilli Peppers dhe Bruno Mars, ndërsa në total një numër prej 111.5 mln shikues kanë ndjekur të gjithë finalen.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta