
Fëmija që zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiç mori në krah nuk ishte shqiptar. Lajmi i një dite më parë është mohuar nga dëshmitarët në vendngjarje.
Së paku dy nga dëshmitarë që ishin të pranishëm në kohën kur Vuçiç mori në krahë një fëmijë për ta ndihmuar nga era e fortë që kishte kapur rajonin serb konfirmuan për TCH se fëmija nuk ka qënë shqiptar, siç u raportua nëpër media.
Sipas dy dëshmitarëve, njëri prej të cilëve shofer i autobusit, fëmija që mori zv/kryeministri serb ishte i një familjeje serbe e cila po udhëtonte me një makinë para autobusit që ishte me disa udhëtarë shqiptarë nga Kosova.
Lajmin e ka konfirmuar edhe menaxheri i agjencisë turistike, Berat Bici, i cili tha nëpërmjet telefonit se lajmi që u proklamua nëpër media, se zv/kryeministri serb ndihmoi një fëmijë shqipar, nuk është i vertetë.
Ndërkohë, shoferi i autobusit, i cili ka qenë në vendngjarje sqaroi më tej se, në autobusin që drejtonte ai nuk kishte pasur asnjë fëmijë shqiptar.
Shoferi tha se fëmija është marrë nga makina e cila ka qenë para autobusit dhe se ajo makinë ka qenë me udhëtarë serbë dhe jo me shqiptarë.
Top Channel