
Kosova ende nuk e di nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, që janë caktuar të mbahen më 16 mars, do të mbahen edhe në territorin e saj.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi i nxitur nga pyetjet e gazetarëve tha të hënën se, nëse kjo ndodh, atëherë qeveria duhet të sqarojë nëse Kosova është shtet me sovranitet të dyfishtë. Madje, Krasniqi tha se nuk ka njohuri për përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“Unë nuk dua të flas me fjalë të mëdha, por dua të them se marrëveshjet që janë arritur në Bruksel nuk na janë prezantuar në tërësi, ne nuk e dimë përmbajtjen e tyre. Por mund të shfaq një mendim timin, nëse zgjedhjet mbahen në Kosovë, atëherë ata që kanë biseduar duhet ta sqarojnë situatën: a është ky sovranitet i dyfishtë apo jo? Nëse mbahen është një sovranitet i dyfishtë dhe për këtë gjë opinioni ynë është dashur të jetë në dijeni, pasi nuk ka qenë dhe nuk është”, deklaroi Krasniqi.
Njohuri rreth kësaj teme duket se nuk ka as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nënkryetari i së cilës është pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd. “Besoj se kjo çështje me rëndësi do të sqarohet shumë shpejt. Por, sa të sqarohet për të gjithë udhëheqësit e Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës, nuk mund të them se cili do të jetë drejtimi”, tha Ramadani.
Zyrtarët serbë kanë deklaruar disa herë se zgjedhjet do të zhvillohen në tërë territorin e Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën dhe duke thënë se për këtë ka pasur pajtim në bisedimet e Brukselit.
Top Channel