Sikur të mos mjaftonte mosha, gjinia apo gjendja civile për të na shndërruar në objektiva të reklamave të përzgjedhura që na serviren gjithmonë e më shumë në internet e aplikacione të ndryshme, tashmë “Apple” planifikon të shfrytëzojë edhe gjendjen tonë shpirtërore si tregues për reklamat e saj.
Gjigantët e produkteve teknologjike kanë regjistruar gjatë muajit Janar një patentë, të një aplikacioni i cili studion sjellje të ndryshme të përdoruesve të “smartphone”, për të kuptuar se si ata ndihen, duke ndihmuar edhe më shumë në klasifikimin e grupit të reklamave që mund t’i interesojnë përdoruesit.
Ky aplikacion bazohet në studimin e aplikacioneve që një person po përdor, të faqeve të internetit që ai po viziton, nëse është në qytetin e tij të banimit apo jashtë tij, nëse është me pushime dhe deri te sa rrahje në minutë po i regjistron zemra.
Qëllimi i këtij aplikacioni është që të ndihmojë “Apple” të shënjestrojë më mirë grupet e reklamave që i shfaqen përdoruesve të produkteve të saj.
Mënyra se si punon aplikacioni është nëpërmjet shkallëve, që tregojnë se çfarë gjendje humori ka secili.
Përshembull, kur dikush do të jetë me pushime, ka ditëlindjen ose pas një rritje në detyrë, shkalla e humorit do të rritet.
Ndërsa pas një ngjarje të keqe, një funerali apo largimit nga puna, shkalla do të përkeqësohet, duke bërë që personit t’i shfaqen reklama më të përshtatshme për mënyrën se si ndihet në atë moment.
Top Channel